Një festë lokale i shtohet kalendarit të festave në të gjithë vendin që mblodhi qindra vizitorë në Mirditë,  në një atmosferë festive ku u manifestua tradita e pasur kulturore e zonës, produktet bio, kulinaria dhe zejet. I pranishëm në këtë festë, ministri i Turizmit Blendi Klosi theksoi se sfida e re e Shqipërisë turistike  është që t’u ofrojë turistëve jo vetëm bukuritë natyrore por edhe produktet lokale dhe autentike të çdo zone.

Në këtë përpjekje, ministria e Turizmit do të vijojë të mbështesë të gjitha bashkitë në krijimin e festave lokale që spikasin produkte dhe traditën e zonave, derisa këto festa të shndërrohen në traditë.   Ministri i Turizmit kërkoi që bashkitë të nxisin zhvillimin e agroturizmit si një mundësi për  punësim, zhvillim të ekonomisë lokale dhe turizëm të diversifikuar. Kryefjala e bisedës për turizmin është sa vende pune të reja janë krijuar, se si nëpërmjet turizmit t’i jepet mundësi zonave rurale të promovohen dhe të kenë burime ekonomike për familjet.

Shqipëria nuk duhet të ketë vetëm një sezon veror, por të jetë e vizitueshme ne 365 ditë të vitit, nëpërmjet ofertës së diversifikuar turistike falë edhe krijimit të destinacioneve të reja që mund të promovohen nga rritja e agroturizmit dhe festat lokale,- theksoi ministri Klosi.

Në festën lokale, përveç panairit gastronomik me produktet e zonës, paradës së veshjeve tradicionale, aktiviteteve muzikore lokale festa solli edhe ritualin e hershëm të dasmës mirditore përcjellë me mjeshtëri nga artistët e Ansamblit “Mirdita”.

“Bashkia ka bërë një kryevepër me këtë infopoint të Mirditës që duhet të jetë shumë më tepër i rrahur nga tur operatorët, nga vizitorët e shumtë që kalojnë në Rrugën e Kombit dhe i del detyrë ministrisë së Turizmit që së bashku me tur operatorët ta afrojë atë si destinacion. Por kur turistët vijnë këtu përveç se të lexojnë dhe dëgjojnë për traditën duhet të gjejnë edhe produktet autentike.  Kjo është sfida jonë e re, që të kenë mundësi sa më shumë që turizmin ta lidhim turizmin me produktin lokal. Të kemi mundësinë që turistët e huaj të vijnë në Shqipëri jo vetëm për bukurinë e natyrës por të vijnë për të provuar edhe ushqimin e zonës, të vijnë të shijojnë bukurinë e traditës që kanë këto kostume fantastike të Mirditës, por të kenë mundësinë të takojnë edhe njerëz, të kenë mundësinë dhe të afrojnë agroturizëm. Me kryetarin e bashkitë kemi folur disa herë për shtimin e pikave të agroturizmit pasi realisht kemi shumë nevojë që jo vetëm të krijojmë destinacione të reja, por edhe të krijojmë punësim.Ajo që për ne është kryefjala e bisedës për turizmin është sa vende pune të reja janë krijuar.

Ne duam që turizmi të shndërrohet në një punë emancipuese për shoqërinë, t’u ofrojë nëpërmjet turizmit shumë më tepër zonave rurale mundësinë për t’iu rikthyer jetës dhe aktivitetit në këto zona,që njerëzit të krijojnë ekonomi, të rikthehen në fshatrat e tyre për të ndërtuar pika  agroturizmi që këto të kthehen në promocion dhe burime ekonomike për familjet.Është pothuajse mbyllja e sezonit por ne duhet ta hapim sezonin dhe të kemi mundësinë që Shqipëria të mos ketë vetëm një sezon vere, por të jetë shumë e larmishme dhe në dimër edhe në pranverë edhe në vjeshtë edhe në verë”- tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: