Nga forumi i parë i organizatave rinore në hapësirën Adriatiko-Joniane, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi u bëri thirrje të rinjve që të bëhen pjesë aktive e cështjeve globale mjedisore dhe zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit në Shqipëri dhe në rajon.


Forumi u mbajt në Shtëpinë e Europës në Tiranë. Të pranishëm kryetari i bashkisë, Erion Veliaj dhe kreut të këshillit të qarkut Tiranë, Aldrin Dalipi dhe të rinjtë vendas dhe të huaj.


Ministri Klosi theksoi se duhet mbrojtur dhe promovuar natyra shqiptare dhe këtë më mirë se kushdo mund ta bëjë rinia. “Kemi ndërmarrë edhe së bashku me përfaqësuesit e BE-së në Tiranë, një sërë nismash të cilat i drejtohen 100% të rinjve për të promovuar atë çfarë është e rëndësishme sot dhe çfarë është fakt biseda botërore; mbrojtja e natyrës. Kemi ndërmarrë me përfaqësues të komunitetit europian në Tiranë, një fushatë shumë të madhe kundër plastikës, kemi ndërmarrë si qeverisje një nismë të re, për ta bërë Shqipërinë vendin e parë europian pa qese plastike në 1 qershor 2020 por për këtë ne nuk mund t’ia dalim dot vetëm me teknikat e vjetra, nuk mund t’ia dalim dot vetëm me vendime qeveritare, vetëm duke ndërmarrë nisma nga pikëpamja administrative”- tha ministri Klosi duke përmendur si shembull të përfshirjes së rinisë programin “Smile Albania”.


“Ne në Shqipëri kemi organizuar vitin e kaluar për herë të dytë projektin “Smile Albania” që ka qenë një nismë 100% në përputhje edhe me Paktin me Universitetin, ku 1 mijë të rinj të aktivizuar kudo në Shqipëri kanë paraqitur bukuritë e natyrës, kanë promovuar Shqipërinë nëpërmjet buzëqeshjes dhe informacionit në zona të mbrojtura”.

Duke vënë theksin te bashkëpunimi rajonal ministri i Turizmit dhe Mjedisit shtoi se duhen politika të përbashkëta që të rinjtë të promovojmë më shumë jo vetëm Shqipërinë por edhe rajonin. “Duam shumë që ne si rajon, jo vetëm si Shqipëri të promovojmë atë çfarë ne kemi mundësi nëpërmjet festivaleve rinore, aktivizimit rinor, tureve të përbashkëta, lëvizjeve të të rinjve edhe në rajonin jo vetëm të Adriatikut, por edhe të Europës Juglindore, të kemi mundësi të krijojmë politika të përbashkëta, të njëjta për të rinjtë kudo që janë në rajonin tonë”- tha ministri Klosi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb