DIVJAKE- Në një kohë që jemi në kulmin e sezonit turistik ministri i Turizmit, Blendi Klosi, u ka tërhequr vëmendje bashkive që të shtojnë masat për sigurinë në plazhe. Nga Divjaka, në një nga 16 zonat e miratuara me përparësi për zhvillimin e turizmit, ministri Klosi deklaroi se në muajin gusht pritet një rritje e turistëve.


“Sikur ne të kemi një sezon të gushtit pa shira dhe kjo duhet thënë, ne padyshim do të jemi në në arritje maksimale të objektivit tonë që në Shqipëri në sezonin turistik 2018 të kemi 10 deri në 15% turistë më shumë. Dhe po të realizojmë këtë numër turistësh, me një investim që ka bërë bashkia , të ardhurat për vetë komunitetin rriten shumë më shumë, pasi përvecse turistët vijnë për të parë detin, vijnë për të parë lagunën, tashmë kanë mundësi që të shfrytëzojnë edhe një kullë shumë të bukur vrojtimi për të gjithë lagunën, të kenë mundësi që të shfrytëzojnë një tur turistik me varka dhe gjithashtu të shohin një dimension të ri turistik që është vështrimi i zogjve”, tha ministri Klosi.


Klosi i kërkoi vendorëve që të vijojnë punën për të rritur standardet për sigurinë e pushuesve.


“Siguria në plazhe , falë një sistemi të ri të mbrojtjes së jetëve në plazhet tona, kemi shumë më pak ngjarje tragjike në plazhet tona paçka se ato duhet të ishin eliminuar por është shtimi shumë i madh i njerëzve që frekuentojnë plazhet dot ë ketë edhe ngjarjet e veta, por realizimi për herë të parë i një rrjeti të plotë, pikash vrojtimi dhe po ashtu 250 ruajtësve të jetës në plazh në të gjithë territorin e plazheve shqiptare ka bërë të mundur që të kemi siguri më të madhe dhe jetë shumë më tepër të shpëtuara, nga këta ruajtës duke na bërë ne që të kuptojmë që kemi shumë më tepër nevojë që të shtojmë numrin e ruajtësve të plazhit dhe të shkojmë në zbatim të plotë të vendimit të qeverisë që për çdo territor që shfrytëzohet nga një kompani private të ketë një ruajtës të jetës në plazh”, u shpreh ministri.

Në zonën e Semanit dhe plazhit të Divjakës, pritet të ndërtohen resorte me 4 dhe 5 yje, për të ndërthurur zhvillimin turistik me bukuritë e natyrës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb