Festë lokale me rastin e ditëlindjes së 11-ë të parkut kombëtar “Shebenikë-Jabllanicë”. 1 nga 300 festat lokale, që ministria e Mjedisit dhe Turizmit po organizon në të gjithë Shqipërinë, nga veriu në jug, me qëllim promovimin e zonave turistike, të produkteve lokale dhe gjallërimin e jetës së komuniteteve rurale. Të pranishëm në festën lokale të organizuar drejtoria e Zonave të Mbrojtura, në Elbasan ishin ministri Klosi, deputeti Taulant Balla dhe kryetari i Bashkisë së Librazhdit, të cilët vizituan edhe qendrën e vizitorëve, ku informohen vizitorët dhe turistët e huaj për atraksionet që duhet të vizitojnë dhe vlerat e tyre natyrore.

“Këtu është kufiri i poshtëm i parkut dhe të gjitha vlerat e tij kanë nevojë që të jenë vlera të komunitetit. Sic ka djem e vajza tashmë që bëjnë guidë në malet dhe liqenet akullnajore që ka ky park, të cilët tregojnë specifikat e florës dhe faunës, janë njerëz që kanë kuptuar se me natyrën mund të jetohet shumë mirë, mund të bëhet një biznes shumë i mirë, mund të bëhet një aktivitet i shkëlqyer dhe me natyrën mund të prodhohet shumë më tepër turizëm. Në kuadër të politikave të MTM viti 2019 do të shënojë një projekt goxha ambicioz përsa i përket zonave të mbrojtura, ne do të ridimensionojmë kufijtë e zonave të mbrojtura për t’iu dhënë atyre vlerë, cfarë do të thotë zonë e mbrojtur, cilat janë vlerat që ka dhe që duhen njohur edhe nga të tjerët”, tha ministri Klosi. Deputeti Balla vlerësoi gjithashtu vlerat e jashtëzakonshme të parkut, duke e konsideruar këtë ditëlindje të 11-ë edhe fillimin e një historie të re.

“Do ta quaja këtë 11-vjetor, fillimin e një historie të re për parkun Shebenikë-Jabllanicë, që është jo vetëm një nga zonat më të mirë konservuara në Shqipëri, por ka edhe një biodiversitet dhe faunë shumë të pasur, duke e bërë këtë zonë shumë të kërkuar për turizmin malor. Pjesë e këtij parku është edhe zona e Rrajcës, ku janë 2200 ha që janë pjesë e trashëgimisë botërore të ruajtuara nga UNESCO sepse janë pyje 2200 vjeçare, të paprekura”, tha Balla. Duke iu referuar shifrave zyrtare, ministri Klosi theksoi se ky park është nga më të vizituarit në Shqipëri, megjithatë sipas tij, numri duhet të shumëfishohet nga ky vit dhe në vijim. “28 mijë kanë qenë vitin e kaluar, duhet ta shtojmë shumë më shumë këtë numër, jemi shumë afër Tiranës dhe nuk kemi pse të mos jemi një paketë e vërtetë duke shfrytëzuar të gjitha pasuritë natyrore të kësaj zone. Prandaj kryetari i bashkisë, deputeti i zonës kanë një plan të qartë, së bashku me AKZM do të menaxhojmë ashtu sic duhet parkun t’ia ofrojmë natyrën e bukur turizmit”, u shpreh ministri Klosi. Për kryetarin e Bashkisë Librazhd, krahas vlerave të jashtëzakonshme të parkut, merita për mirëadministrimin e tij është e ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit.

“Ne si bashki kemi gjetur tek ministria e Mjedisit dhe Zonat e mbrojtura një partner i cili ka ridimensionuar politikat e saj duke u fokusuar në terren. Parku i shebenikut përveç se është një nga parqet më të mëdhenj të shqipërisë, është edhe nga më të bukurit sepse ka bashkuar mrekullit e natyrës me njerëz të jashtëzakonshëm”, tha Gurra.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: