Këshilli i Lartë i Prokurorisë shqyrton sot në mbledhjen e sotme, hapat e mëtejshme për kostituimin e Prokurorisë së Posaçme në variantin 8+2, pra 8 prokurorë që kanë kaluar dy shkallet e vetting-ut dhe dy të përkohshëm.

KLP ka listuar 15 kandidatë, tashme 8 prej tyre të vetuar me vendim të formës së prerë, 1 prokuror Ndini Tavani është tërhequr nga gara dhe tashmë është rrëzuar nga vettingu kurse Besnik Muçi është zgjedhur anëtar në Gjykatën Kushtetuese.

Emrat më të përfolur për dy prokurorët e SPAK që nuk janë vetuar akoma janë Vladimir Mara dhe Dritan Prençi.

Ndërkohë në mbledhje Kosta Beluri propozon të shtohet në rendin e ditës miratimi i raporteve të vlerësimit për 2 kandidatë të pranuar në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, Blerina Musabelliu dhe Urim Kalia. Propozimi u pranua me 10 vota pro dhe 1 kundër (Arben Dollapaj).

Sandër Beci propozoi të shtohen në rendin e ditës 2 caktime të përkohshme: Brahim Dragoshi prokuror në Prokurorinë e Gjykatës së Apelit Shkodër të vazhdojë të ushtrojë përkohësisht funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër dhe Asllan Bajramaj prokuror në Prokurorinë e Shkallës së Parë Përmet të vazhdojë të ushtrojë përkohësisht funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Përmet. Propozimi u pranua me 9 vota pro dhe 2 kundër (Arben Dollapaj dhe Gent Ibrahimi).

Të gjithë anëtarët te Këshillit janë dakord se SPAK duhet ngritur sa më shpejt të jetë e mundur. Propozimi i cili ka marrë mbështetjen e shumicës së anëtarëve është se KLP do të bëjë emërimin e 8 prokurorëve në SPAK duke filluar të plotësojë organigramën e SPAK dhe menjëherë do të hapet gara për shprehjen e interesit për drejtuesin e SPAK e cila zgjat 5 ditë. Gjithë hapat e propozuara do të finalizohen brenda 30 ditëve.

Po kështu në mbledhje është miratuar projekt-akti për caktimin e përkohshëm të Znj.Afërdita Ndoi, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, të ushtrojë përkohësisht detyrën si prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Durrës.

KLP ka miratuar me shumicë votash projekt-aktin për caktimin e përkohshëm të Z.Albert Murçaj, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, të vazhdojë të ushtrojë përkohësisht detyrën si Drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër.

Me shumicë votash është miratuar edhe projekt-akti për caktimin e përkohshëm të Z.Lorenc Mërkuri, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, të vazhdojë të ushtrojë përkohësisht detyrën si Drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë.

Ndërkohë KLP ka miratuar me shumicë votash projekt-aktin për caktimin e përkohshëm të Z.Ludovik Doda, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Durrës, të vazhdojë të ushtrojë përkohësisht detyrën si Drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Durrës.

Një tjetër vendim i KLP ka qenë edhe miratimi i projekt-aktit për caktimin e përkohshëm të Z.Ylli Pjetërnika, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, të vazhdojë të ushtrojë përkohësisht detyrën si prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Në mbledhje është miratuar edhe projekt-vendimi për ndërprerjet e caktimit tё përkohshem tё z. Urim Buci në detyrën e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin dhe rikthimin e tij në detyrë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër.

Me 9 vota pro dhe 2 kundër është miratuar raporti për aftësitë profesionale të Nezir Gjoka, prokuror në Prokurorinë e Apelit Tiranë. Miratohen dy raportet të vlerësimit për 2 kandidatë të pranuar në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, Blerina Musabelliu (11 vota pro) dhe Urim Kalia (11 vota pro).

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: