TIRANË

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur rikthimin tek Krimet e Rënda të dy prokurorëve Besim Hajdarmataj dhe Olsian Çelaj të cilët u transferuan nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku në rrethe. Rikthimi i dy prokurorëve u miratua me 6 vota pro dhe 5 kundër. Dy ish-drejtuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Olsian Çela dhe Besim Hajdarmataj, fituan gjyqin me Kryeprokuroren Arta Marku në Gjykatën Administrative, në fund të muajit dhjetor.

KLP mori në shqyrtim sot edhe rastin e 2 prokurorëve Çela dhe Hajdarmataj që u transferuan në rrethe nga Arta Marku. Për dy prokurorët mbaroi afati i caktimit të përkohshëm, ndaj prokurori Bujar Sheshi tha se KLP duhet të zgjidhë se ku do të punojnë 2 prokurorët.

KLP zhvilloi sot mbledhjen e tretë që prej konstituimit. Në rendin e ditës janë disa propjektvendime si miratimi i strukturës së KLP dhe propozimi i buxhetit për 2019. Por me propozim të një prej anëtarëve, prokurorit Bujar Sheshi dhe në unanimitet në rend të ditës u fut edhe shqyrtimi i çështjes për plotësimin e vendit vakant në Apelin e Krimeve të Rënda me largimin e prokurorit Sheshi, i cili u zgjodh anëtar i KLP.

“Kërkoj që të futet në rend edhe çështja për caktimin e përkohshëm të një prokurori si prokuror në Apelin e Krimeve të Rënda. Mendoj që duhet bërë në këtë mbledhje sepse situata është emergjente. Atje është vetëm një prokuror dhe nuk i ndjek dot të gjitha çështjet. Mund të krijohen probleme dhe për caktimin e masave të sigurisë. Mirë është që ta bëjmë në këtë mbledhje që të mos bëjmë një mbledhje urgjente”, tha prokurori Sheshi.

Keshilli I Larte I Prokurorise
Keshilli I Larte I Prokurorise

Ndërsa kreu i KLP, Gent Ibrahimi e hodhi në votim propozimin i cili u miratua. “Shtohet çështja në rendin e ditës. KLP do të shqyrtojë edhe çështjen e plotësimit të vendit të lënë bosh si rezultat i caktimit në KLP të zotit Sheshi”, tha Ibrahimi.

Kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi, gjatë fjalës së tij u ndal edhe te plotësimi i vendeve vakante në Prokurorinë e Posaçme kundër korrupsionit, ku deri tani kanë aplikuar vetëm prokurorët Klodian Braho dhe Besnik Muçi.

“U çelën procedurat për plotësimin e 15 vendeve vakante për SPAK, deri tani kemi dy kandidime. Këshilli vendosi që të bënte një lehtësim të dokumentacionit, përmes një emaili që u është dërguar të gjithë prokurorëve. U lehtësua ndjeshëm lista e dokumenteve. Shpresojmë që ky lehtësim të jetë inkurajues. Thirrje të gjithë prokurorët me integritet që të mos e humbin këtë mundësi për t’u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme”, u shpreh kreu i KLP.

Ndërkohë anëtari Kostaq Beluri propozoi një strukturë shtesë të KLP prej 6 prokurorësh, propozim që u miratua me 9 vota pro dhe 2 kundër.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb