NGA ORNELA MANJANI

TIRANE- Dyfishohet borxhi që kompanitë private kanë ndaj Drejtorisë së Doganave Tiranë. Vlera e borxhit arrin në 3.4 miliardë lekë, për mbledhjen e të cilave nuk ka një përgjegjës. Shifrat janë bërë publike në auditin e fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit në Doganën e Tiranës për vitin 2014-2015. “Nga auditimi u konstatua se gjendja e borxhit doganor në fillim të vitit 2014 ka qenë 1,807,618 mijë lekë, kurse në fund të vitit 2014 ajo ka arritur në vlerën 3,400,073 mijë lekë, shumë kjo që u takon 350 subjekteve debitore”, thuhet në raport. KLSH-ja argumenton se, shifrat e mësipërme të borxhit tregojnë për punën e paorganizuar që ka bërë Dega e Doganës Tiranë në drejtim të rikuperimit të borxhit doganor.

Sipas KLSH-së, për të mbledhur këtë borxh Dogana ka nxjerrë urdhra për rikuperimin me forcë të tij, nëpërmjet 381 vendimeve për sekuestrimin e mallrave të subjekteve debitore në vlerë 2,4 miliardë lekë, ose në masën 73% të borxhit në total. Por KLSHja vëren se, ecuria e këtyre masave nuk ka qenë në nivelin e parashikuar, për arsye të mungesës së bashkëpunimit me strukturat e specializuara të DPD dhe institucioneve përkatëse.

Nga auditimi u konstatua se, nuk ka përgjegjësi të qartë lidhur me ndjekjen e vendimeve administrative të nxjerra nga autoriteti doganor kompetent. Përgjegjësia është e shpërndarë në sektorin e financës, te juristët e doganës dhe në Zyrën e Borxhit Doganor, duke vështirësuar jo vetëm administrimin, por dhe ndjekjen e këtyre vendimeve, trajtuar më hollësisht në faqet nr. 84-85, të Raportit Përfundimtar të Auditimit. “Për sa më sipër është rekomanduar që, autoriteti doganor kompetent, Dega e Doganës Tiranë në bashkëpunim me strukturat e specializuara të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe institucionet e tjera shtrënguese shtetërore, të marrin masa të plota për zbatimin e të gjitha vendimeve sekuestro të nxjerra, në vlerë 2,485,138 mijë lekë.

Kërkojmë një vëmendje maksimale të autoritetit doganor për ndjekjen e borxhit doganor, duke synuar trajtimin profesional të rasteve që zënë dhe peshën më të madhe në këtë borxh. Në Vijimësi, autoriteti doganor kompetent, Dega e Doganës Tiranë të përcaktojë një përgjegjësi konkrete për inventarizimin dhe administrimin e vendimeve të nxjerra, që do të ndjekë më pas dhe arkivimin e tyre në arkivin e doganës”, thuhet në raportin e auditit të KLSH-së.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: