TIRANË- Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurori 3 specialistë të zyrës vendore të Hipotekës në Sarandë. Ish-juristja me iniciale A.N., dhe dy ish-hartografë R.P. dhe N.B. akuzohen për shpërdorim detyre. KLSH-ja ka audituar Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Sarandë, për periudhën janar 2011 deri në shtator 2014.
Nga auditimi, u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, mbi bazën e të cilave KLSH ka kryer kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Sarandë, për 3 Specialistë të këtij institucioni.
KLSH-ja ka konstatuar shkelje, të meta e mangësi, në zbatimin e procedurave ligjore lidhur me zbatimin e tyre në pranimin, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për regjistrimin e pasurive të paluajtshme. Këto shkelje kanë sjellë për pasojë aplikimin dhe regjistrimin e 31 pasurive të përfituara me Leje Legalizimi, në zonën turistike të Ksamilit, brenda brezit turistik, ku ndalohet zhvillimi i ndërtimit dhe nuk lejohet legalizimi i objekteve e blerja e truallit. Po kështu në 9 raste KLSH-ja ka konstatuar shmangie të detyrimeve financiare prej 6.2 milion lekë; në 150 raste për sipërfaqen prej 23 ha ka regjistruar tokë bujqësore më tepër se titulli i pronësisë por dhe shkelje të tjera, veprime në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Më konkretisht KLSH konstatoi:
Në 18 raste në Zonën Turistike të Ksamilit janë pranuar për aplikim, regjistruar e pajisur me certifikatë pronësie, personat përfitues të lejeve të legalizimit, kur trojet e zëna dhe objektet e ngritura mbi to, nuk plotësojnë kushtet për legalizim, pasi ndodhen brenda “Brezit mbrojtës të vijës Bregdetare i cili është jo më pak se 100 metër nga vija e ujit”, madje në afërsi të bregut të detit.
Për trojet dhe objektet e legalizuara të ndodhura brenda këtij brezi, nuk mund të veprohej pa u përcaktuar më parë zona e stimuluar, për veprimtari të stimuluar dhe që kryhen nga persona të stimuluar, procedurë e cila nuk kryhet nga ALUIZNI apo ZVRPP.
Në 9 raste në Zonën Turistike të Ksamilit, janë pranuar për aplikim, regjistruar e pajisur me certifikatë pronësie, personat përfitues të lejeve të legalizimit, procedurë, zbatimi i të cilës përveç regjistrimit në kundërshtim me ligjin ka krijuar dhe një dëm ekonomik prej 6.2 milion lekë, rezultat i mos zbatimit të çmimit të tregut, pasi personave të cilëve u është legalizuar objekti e shitur trualli nuk janë persona të stimuluar, në zona të stimuluara dhe me aktivitet veprimtari të stimuluar.
Në 146 raste për një sipërfaqe toke prej 16.6 Ha e llojit “arë” të ndodhur në Xarrë, ZVRPP-ja Sarandë në regjistrimin e pasurive dhe lëshimin e certifikatave të pronësisë, nuk ka vepruar me identifikimin, veçimin dhe regjistrimin në pronësi “shtet”, të pasurisë të regjistruara më tepër se Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi, por ka lejuar që familjet fermere të pajisen me dokument pronësie sipas sipërfaqes faktike në terren si dhe të pa fituara nga ligji nr. 7501.
Në 24 raste për një sipërfaqe toke prej 6.5 Ha e llojit “arë” të ndodhur në Borsh, ZVRPP Sarandë në regjistrimin e pasurive dhe lëshimin e certifikatave të pronësisë, nuk ka vepruar me identifikimin, veçimin dhe regjistrimin në pronësi “shtet”, të pasurisë të regjistruara më tepër se Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi, por ka lejuar që familjet fermere të pajisen me dokument pronësie sipas sipërfaqes faktike në terren.
Në 1 rast në qytetin e Sarandës, ZVRPP ka kryer regjistrimin e një trualli me sipërfaqe 680 m2 dhe të objektit “Godinë banimi+garazhe 8 kate me sipërfaqe njolle ndërtimi prej 470 m2”, me mungesë në dokumentacionin e përfitimit të pronësisë mbi truallin, si dhe kur objekti shumëkatësh ndodhet në zonën e “Turizëm-Kanali i Çukës”, zonë në të cilën nuk lejohet regjistrimi i ndërtimeve mbi 3 kate, pasi vjen në kundërshtim me vendimin e KRRTRSH nr. 3, datë 19.02.1999, i cili ka përcaktuar se numri maksimal i kateve për objektet e ndërtuara në këtë zonë është 2-3 kate.
Në 1 rast në qytetin e Sarandës, ZVRPP ka kryer regjistrimin e një trualli të njohur e kthyer me vendim të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, duke regjistruar më tepër një sipërfaqe të pa përfituar sipas vendimit, dhe tjetërsim të padrejtë të sipërfaqes prej 1.25 Ha tokë të llojit truall (ka regjistruar sipërfaqen prej 69.2 Ha nga 68 Ha sipërfaqe e kthyer sipas vendimit), si dhe kur prona e regjistruar krijon pjesërisht mbivendosje me pasuri të regjistruara më parë, për sipërfaqen prej 8 Ha.
Mbështetur sa më sipër, KLSH ka kryer kallëzim penal për shpërdorim detyre duke i përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse për ish- Specialistët e ZVRPP Sarandë, të cilët në mos përmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave ligjore, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: