Emisioni investigativ Vetting në News24
Për periudhën 2017-2020, OSHEE rezulton me probleme të shumta me KESH, i cili ka borxhe dhe detyrime ndaj Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST). OSHEE ka deklaruar se ka disa të ardhura, që kanë si burim penalitetet ndaj KESH pasi nuk ka respektuar kontratën e firmosur midis palëve në mars 2018 me vlerë 5.5 miliardë lekë ose 55 milionë euro.
Sipas audituesve, këto penalitete ndaj KESH, OSHEE i ka deklaruar si të ardhura në bilancet e veta, duke deformuar fitimin real të OSHEE.
KLSH ka deklaruar se përgjegjësi në këtë rast ka ish-ministri Damian Gjiknuri, duke sjellë shtrembërime të pasqyrave financiare nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë përmes një vendimi i cili bie ndesh me ligjin.
Sipas KLSH: “Këshilli Mbikëqyrës dhe Administratori i shoqërisë duhet të marrë masa që në të ardhmen, përgatitja dhe hartimi i pasqyrave financiare të kryhet me përgjegjshmëri, vërtetësi e në afatet përkatëse, duke pasqyruar situatën financiare dhe performancën ekonomike, për disponimin e informacioneve palëve të interesuara në kohë, për vendim- marrjet përkatëse. Për sa më sipër mbajnë përgjegjësi ish-ministri i MIE, në cilësinë e ortakut të vetëm të OSHEE dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të shoqërisë”.
Loja e OSHEE me HUPX
Për vitet 2020, 2021 vihen re disa elementë të çuditshëm në procedurën e mbajtjes së tenderave për blerjen e energjisë në bursën ndërkombëtare, HUPX. Nëse çmimi i energjisë elektrike ka një mesatare të qëndrueshme, ditën që Shqipëria shpall tender dhe ditën që e mbyll çmimi është shumë i lartë. Në shumicën e rasteve, dyfish më shumë nga ditët e zakonshme në bursën hungareze por edhe bursat e tjera në rajon, si Çekia, Rumania, Greqia apo Italia.
Konkretisht, në këtë tender të mbajtur me datë 2 korrik 2021 çmimi i energjisë është 122.50 euro për megavat-orë por vetëm një ditë para shpalljes së tenderit, pra me datë 1 korrik ai ishte vetëm 75.90 euro.
Në tenderin e radhës për blerjen e energjisë elektrike me 8 korrik, energjia ka kapur vlerat e 106.99 euro kur një ditë para shpalljes së tenderit çmimi ishte vetëm 75 euro.
Vlerat vazhdojnë të qëndrojnë të ulëta për të gjitha ditët kur nuk është mbajtur asnjë procedurë shitblerjeje deri në ditën e 26 të muajit korrik kur çmimi pëson sërish një rritje stratsferike duke u blerë me çmim referencë të bursës hungareze me 108 deri në 111 euro për MW në orën e mbajtjes së tenderit.
Shitblerja e energjisë elektrike me referencë në bursën HUPX rezulton në dëm të buxhetit të shtetit kur në fakt vendi duhet të kursejë para duke blerë drita me çmim më të ulët.
Bursa hungareze merret si referencë edhe sot për blerjet e KESH, megjithëse nuk ka asnjë arsye. Shqipëria nuk ka asnjë marrëveshje apo detyrim për t’iu referuar HUPX.
Shqipëria ka bursë, por Verdho nuk e përdori
Për të shmangur këto çmime abuzive dhe të dyshimta, në tetor të 2020-ës Shqipëria themeloi bursën ALPEX. Ky ishte një sukses mes Operatorit të Sistemit të Transmetimit në Shqipëri së bashku me Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Kosovës. Kjo marrëveshje për krijimin e bursës shqiptare u firmos nga drejtuesi i OST-së, Skerdi Drenova dhe drejtuesi i KOSTT, Ilir Shala.
Me aktivizimin e ALPEX do të ndryshojnë marrëdhëniet ndërmjet operatorëve të tregut, të cilat shmangin marrëdhëniet dypalëshe. Në këtë mënyrë, çdo kompani që vepron në tregun e energjisë elektrike bazuar në licencën e marrë nga Enti Rregullator i Energjisë do të shesë ose blejë energji nëpërmjet bursës, e cili i orienton çmimet në bazë të tregut të liberalizuar (tregu i BE-së), duke rritur konkurrencën mes kompanive.
Për të siguruar procesin e shitblerjes së energjisë elektrike në avancë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, ALPEX do të hartonte tenderin për përzgjedhjen e “Platformës Elektronike të Tregtisë për Tregun në avancë dhe brenda ditës, Infrastrukturës dhe Shërbimeve të kërkuara për operimin e tregut të organizuar në Shqipëri dhe Kosovë”.
Duhet theksuar se brenda vitit 2021, ALPEX do të hapte tre herë garën për të siguruar fituesin dhe pas dy përpjekjeve të pasuksesshme, më 27 gusht 2021, ALPEX do të riniste garën për tenderin, e cila kësaj radhe do të kishte fitues, bashkimin e kompanive “HELLENIC ENERGY EXCHANGE S.A.”, “ENEX CLEARING HOUSE” S.A. dhe “HELLENIC EXCHANGES – ATHENS STOCKCHANGE” S.A me vlerë 225 milionë lekë ose 2.2 mln euro.
Por sa e kemi arritur qëllimin e ALPEX, që të kemi një treg që prodhon, transmeton dhe konsumon energji elektrike në mënyrë efikase, si dhe një treg që çon në fitime më të larta të organizuar sipas modelit të BE-së?
Pavarësisht deklaratave publike të Ministres Balluku për ALPEX, bursa e energjisë elektrike nuk ka funksionuar. Sipas ekspertit Gradeci, institucionet nuk kanë dëshirë për të pasur një proces transparent, duke vazhduar me metodologjinë e vjetër.
“Nëse bursa shqiptare do të funksiononte, sot autoriteti prokurues i energjisë elektrike, KESH do e blinte atë me çmime më të favorshme, ndryshe nga ajo që e gjen në bursën hungareze. Me pak fjalë, ky ishte një investim i cili nuk i shërbeu as ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë e as qytetarëve shqiptar”, tha inxh. Gradeci përsa i përket ALPEX.