Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Kosovë shpreh shqetësimin për sjelljen e autoriteteve maqedonase për trajtimin e të arrestuarve në Kumanovë si dhe gjatë mbajtjes në paraburgimin në Shutkë.

KMDLNJ, përmes kontaktit me aktivistë për të drejtat e njeriut në Maqedoni ka shprehur gatishmëri t’i vizitojë të paraburgosurit së bashku me ta, por është informuar se kjo është e pamundur dhe se deri më tani nuk është lejuar as aktivistëve për të drejtat e njeriut të Maqedonisë t’i vizitojnë të paraburgosurit kosovarë, shkruan Express.

“KMDLNJ ka nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi me Ministrinë për Punë të Brendshme të Kosovës për vizitë Qendrave të Ndalimit ndërsa me Ministrinë e Drejtësisë për vizitë Qendrave të Paraburgimit dhe Qendrave Korrektuese. Mandati i vizitave për personat e arrestuar vlen vetëm brenda territorit të Kosovës ndërsa për vizita personave të arrestuar në shtetet tjera KMDLNJ nuk ka mandat e as leje. Në rastin konkret, të arrestuarit në Qendrën e Paraburgimit në Shutkë mund dhe duhet të vizitohen nga zyrtarët e Ambasadës së Kosovës në Maqedoni të cilët, përveç vizitave që duhet t’ua bëjnë ata duhet t’u sigurojnë edhe mbrojtje ligjore si dhe ta monitorojnë procesin e gjykimit. Të arrestuarit kosovarë mund dhe duhet të vizitohen edhe nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq që ka mandat të plotë dhe nuk mund të pengohet për këto vizita. Ata mund të vizitohen edhe nga Institucioni i Avokatit të Popullit të Maqedonisë”, thuhet në komunikatë.

KMDLNJ shpreh gatishmëri t’i vizitojë të arrestuarit kosovarë në Maqedoni nëse Ministria e Drejtësisë e Kosovës arrin marrëveshje me Ministrinë e Drejtësisë së Maqedonisë për lejimin e vizitave të tilla si dhe pret përkrahje në këtë drejtim nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës dhe Ambasada e Kosovës në Maqedoni.

Më tej bëhet e ditur në komunikatë se në Kosovë është formuar Mekanizmi për Parandalimin e Torturës (QKRMT, KMDLNJ dhe Avokati i Popullit) që ka kapacitet profesional për monitorimin e qendrave për persona të privuar nga liria, por që nuk mund të bëjë vizita monitoruese në shtetet tjera pa përkrahjen e institucioneve vendore dhe pa pëlqimin e shteteve ku mbahen të arrestuar qytetarët e Kosovës.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: