TIRANË-Komuniteti Mysliman i Shqipërisë i ka shprehur ngushëllime familjes së efektivit të forcave speciale RENEA i cili u vra ditën e sotme gjatë një shkëmbimi zjarri në Lazarat.

“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe merr pjesë në dhimbjen e saj, ndërkohë lutet për shërim të shpejtë për dy të lënduarit e tjerë të kësaj ngjarjeje të rëndë.

KMSH dënon aktin kriminal ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit në Lazarat, ku humbi jetën Ibrahim Basha, efektiv i forcave speciale RENEA dhe mbetën të plagosur dy kolegët e tij, Jetmir Isaji dhe Perlat Hamitaj.

Efektivi Ibrahim Basha ra në krye të detyrës shtetërore në luftën kundër krimit, ndërkohë që ishte në përmbushje të detyrës si agjërues i Muajit të Bekuar të Ramazanit. Ai njihej në rrethin e tij si një besimtar dhe njeri i përkushtuar në detyrë. Për këtë lusim Allahun e Madhëruar që ta mëshirojë dhe ta pranojë në xhenetet e Tij të larta.”- thuhet në mesazhin ngushëllues.

Më tej theksohet: “Shpresojmë që drejtësia të veprojë sa më shpejt dhe autorët e kësaj ngjarjeje të përballen me forcën e ligjit.”

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: