Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Abbas Mousavi tha se koalicioni detar amerikan në Gjirin Persik nuk do të ofrojë siguri dhe se do të rrisë destabilitetin në rajon.


Nëpërmjet një deklarate Mousavi ka kritikuar koalicionin detar që SHBA-ja filloi dje me pjesëmarrjen e Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkaura Arabe (EBA) dhe të Bahreinit me qëllim për të mbrojtur anijet dhe transportin e naftës në Gjirin Persik.


“Pezullimi nga Irani edhe i disa prej angazhimeve të tij në marrëveshjen bërthamore nëpërmjet hapit të katërt të ndërmarrë nga e mërkura si dhe fillimi i injektimit të gazit në 1.044 centrifugave në objektin e tij bërthamor Fordow ka shkaktuar që SHBA-ja të vendosë në veprim koalicionin për të cilin ka punuar për një kohë të gjatë dhe në të cilin kanë marrë pjesë vendet e Gjirit që kanë probleme me Teheranin”, thuhet në deklaratë.


“SHBA për të legjitimuar hapat e saj të njëanshme përdor emrat e vendeve të tjera. Përdorimi i emrave të vendeve të tjera nga SHBA-ja për të arritur qëllimet e saj tregon dobësinë e saj dhe mungesën e legjitimitetit ndërkombëtar”, thekson zëdhënësi Mousavi duke shtuar se koalicioni i formuar nga SHBA-ja nuk do të ofrojë siguri dhe se do të rrisë destabilitetin në rajon dhe në botë.

Mousavi u bëri thirrje vendeve të rajonit që të ndërmarrin hapa së bashku me fqinjët e tyre për të ofruar një siguri të qëndrueshme.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb