TIRANE – Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme e Demokraci të Qendrueshme (Koalicioni) prezantoi gjetjet e vëzhgimit të procesit të pjesës së parë të ditës së votimit, të cilat pasqyrojnë situatën në të gjitha Qendrat e Votimit në mbarë vendin.

“Bazuar tek informacioni i marrë nga vëzhguesit jo-partiakë të Koalicionit, pjesa e parë e Ditës së Zgjedhjeve vazhdoi në një mënyrë të rregullt, me përjashtim të pak incidenteve të izoluara” – tha znj. Mirela Bogdani, eksperte ligjore e KZLNDQ-së.

Incidentet e izoluara të raportuara nga vëzhguesit e KZLNDQ-së deri në orën 14.00 ishin:

* Katër (4) raste në të cilat votimi u pezullua për më shumë se 30 minuta (Tirana QV 1939; Shkodër QV 0089 dhe QV 0092; Fier QV 3034)

* Pesë (5) raste në të cilat fshehtësia e votimit nuk u garantua (Tirana QV 2082, QV 2009, QV 19791; Vlora QV 4585; Korçë QV 4103)

* Pesë (5) raste të asistencës në mënyrë të papërshtatshme në votim (Tirana QV 17721, QV 1926, QV 19791, QV 2127, Vlora QV 4585), si dhe 3 raste votimi familjar (Gjirokastër QV 4120, Dibër QV 1151; Shkodër QV 81).

* Dy (2) raste të presencës së personave të paautorizuar (në QV nr. 19791 në Tiranë, në QV nr. 4585 në Vlorë)

* Dymbëdhjetë (12) raste të të bërit fushatë përpara Qendrave të Votimit (në Durrës: QV nr. 1373, QV nr. 14602, QV nr. 1416; në Dibër QV nr. 1111; në Korçë QV nr. 3979, QV nr. 3740; në Tiranë QV nr. 18761, QV nr.1789, QV nr. 17121; në Shkodër QV nr. 259; në Vlorë QV nr. 4585, QV nr. 4598).

Vëzhguesit e KZLNDQ kanë pasur mundësi që gjatë pjesës së pare të ditës së votimit të vëzhgojnë të lirshëm procesin e votimit, siç edhe parashikohet në Kodin Zgjedhor.

Sipas të dhënave të KZLNDQ, pjesëmarrja mesatare në nivel kombëtar deri në orën 14.00 ishte

31.6 % me marzh gabimi prej +/-0.8%. Ndarja e pjesëmarrësve në votim sipas gjinive ishte 47 % gra dhe 53 % burra.

KZLNDQ ka shpërndarë 1000 vëzhgues të palëvizshëm e të paanshëm sipas një kampioni të rastësishëm dhe përfaqësues në të gjithë Shqipërinë si dhe në bashkitë e Tiranës, Shkodrës, Durrësit dhe Himarës. Kjo metodologji i mundëson Koalicionit ekstrapolimin e gjetjeve të vëzhgimit për të gjithë vendin në përgjithësi, si dhe më vete për katër bashkitë e përmendura. Të dhënat cilësore të KZLNDQ-së kanë nivel besueshmërie prej 95 %, me marzh gabimi prej +/- 4% në rang kombëtar.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb