Gjatë muajit dhjetor vajzat dhe gratë në Berat mund t’i drejtohen kabineteve të mamografisë për kryerjen e vizitave falas. Në spitalin rajonal të Beratit tashmë është instaluar edhe një mamografi e re, që garanton shërbime më cilësore dhe rezultate të sakta për gratë dhe vajzat.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu i bëri apel sot vajzave dhe grave në qytetin e Beratit, që të kryejnë ekzaminimet për kontrollin kundër kancerit të gjirit.
“Jo vetëm në Tetor. Këtë muaj, Berati është qyteti që ofron vizita të shpejta, duke lehtësuar hapat. Mamografi pa rekomandim gjatë gjithë muajit. Drejtohu sot spitalit rajonal dhe kryej mamografinë pa humbur kohë”, tha Koçiu.
Ministrja Koçiu u shpreh se “ekzaminimet e rregullta shpëtojnë jetë, duke mundësuar parandalimin dhe zbulimin e hershëm të sëmundjeve”.
Gratë mund të kryejnë mamografinë falas nga e hëna deri të premten nga ora 08:00-20:00, ndërsa të shtunën, orari i vizitave është 09:00-14:00 në Spitalin Rajonal të Beratit.