Një grup eurodeputetësh mbylli sot me një konferencë shtypi vizitën dy ditore në Tiranë me një paralajmërim për PD dhe LSi që të kthehen në kuvend dhe me mbështetje të hapur për qeverinë dhe parlamentin si organe legjitime.

Në harkun kohor të dy viteve, ky është misioni i dytë i Parlamentit Europian për të zgjidhur krizën e politikës shqiptare, historikisht në krizë.

Pa dashur të bëjmë profecira, nisur edhe në kriza më e fundit, ajo e pranverës 2017, Parlamenti Europian nuk i ka ‘larë duart’ me ndërmjetësimin për kacafytjen e radhës në politikën shqiptare. Këtë herë, ndikuar edhe nga zgjedhjet e ardhshme në Parlamentin Europian, nuk pritet ndonjë angazhim total i të dërguarve të PE-së, por gjithsesi, sado vonë, ata do të arrijnë të gjejnë një gjuhë të përbashkët mes qeverisë dhe PD-LSI.

ZGJIDHJA e ka theksuar se nuk do që këta burra të nderuar të Parlamentit Europian të vijnë këtu thjesht si zjarrfikës, sepse ata vetëm do të vënë nën kontroll flakët, por nuk do ta shuajnë vatrën e zjarrit që rindizet sa herë palët politike janë në luftë për pushtet. Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckestein dhe homologët e tij europianë duhet të vijnë dhe të merren seriozisht me thelbin e krizës në Shqipëri. Ata nuk duhet të stepen për të marrë anë. As të mbrojnë qeverinë dhe parlamentin e PS-së si legjitimë, as të mbrojnë kauzat e PD-LSI si kërkesa të drejta të pakicës. Ata duhet të marrin anën e popullit shqiptar, i cili është përjashtuar nga vendimmarrja për fatet e tij dhe të vendit.

Ashtu si në ndërmjetësimet e viteve 2010 apo 2017, kriza e vitit 2019 e ka gjenezën te superpushteti që kanë rrëmbyer disa parti politike në vend, krimet e pafundme politike dhe ekonomike që kanë bërë në dy dekadat e fundit dhe kufizimi alarmant i të drejtave të popullit shqiptar për të ndryshuar elitat politike me votë.

Zotërinjtë europarlamentarë duhet të kuptojnë një gjë shumë jetike për Shqipërinë dhe shqiptarët: Këtu vota nuk vlen për asgjë. Ajo mund të konvertohet nga partitë shqiptare me një thes miell, 50 apo 500 euro, ose një vend pune në administratën shtetërore, por nuk ka vlerë për ndryshime politike.

750 europarlamentarët e sotëm dhe ata të rinjtë, do të zgjidhen nga elektorati i vendeve të tyre përmes votës së lirë dhe të bararbartë, siç bëjnë në vendet e tyre për zgjedhje të përgjithshme, vendore, apo për referendumet (këto të fundit janë ekzekutuar nga politika shqiptare, edhe pse ironkisht jemi cilësuar për mundësi zhvillimi si Zvicra e Ballkanit).

ZGJIDHJA i sfidon europarlamentarët që ishin deri para pak orësh në Tiranë me ca pyetje të thjeshta: Do t’i pranonit zgjedhjet në vendet tuaja, si ato që bëhen në Shqipëri? P.sh. z.Knut Fleckenstein në vendlindjen e tij në shtetin federal gjerman të Hessen-it;  z. Cristian Preda në kryeqendrën e Rumanisë; apo z. Tunne Kelam në Estoninë e tij?

Drama e zgjedhjeve në Shqipëri nuk është ‘punë shqiptarësh’ siç mund të thuhet rëndom në Bruksel apo në Strasburg nga europarlamentarët e lodhur me dy dekadat e krizave shqiptare. Kosova është vetëm 11 vite shtet i pavarur dhe 92 për qind e popullsisë së saj është shqiptare, por atje kurrë s’ka patur probleme me zgjedhjet. Po ashtu, Maqedonia e Veriut, ku shqiptarët përbëjnë më tepër se 40 për qind të popullsisë dhe janë element shtetformues. Vetëm zgjedhjet në Shqipëri janë bërë një problem europian dhe do të jenë të tilla, derisa të mos ndërhyhet te thelbi i krizës: Heqja e votës së shqiptarëve nga duart e tri partive dhe rikthimi i saj te votuesit e thjeshtë, të cilët duhet të kenë të drejtë të votojnë direkt për deputetët, drejtuesit e pushtetit vendor dhe të vendosin me referendume për çështje shumë jetike për komunitetin apo për vendin.

ZGJIDHJA i këshillon zyrtarët e Brukselit dhe të Strasburgut që të mos lexojnë vetëm letrat konfidenciale, apo të hapura që marrin nga qeveria e PS-së apo PD-LSI. Duhet ta kuptojnë se ata nuk janë të sinqertë dhe janë në konflikt të hapur interesi, ndërsa flasin dhe argumentojnë lirinë e votës dhe legjitimitetin e institucioneve në Shqipëri. Këto tri parti janë bashkëpërgjegjëse për krimet elektorale dhe ekonomike që kanë bjerrë vlerat demokratike të Shqipërisë. Janë këto parti që kanë administruar procesin zgjedhor në vend, kanë numëruar dhe ndarë për vete votat e të gjithëve dhe kush ka vjedhur më shumë ka marrë pushtetin dhe ai që mori më pak, mbeti në opozitë. Ato të gjitha i kanë futur krahët deri në llërë në batakun e zgjedhjeve shqiptare.

ZGJIDHJA nuk ka kërkuar një model jashtëtokësor për zgjedhjet shqiptare. Ka kërkuar modelin më të thjeshtë që ekziston në një vend demokratik: votë të lirë dhe të barabartë, që nis nga një KQZ e depolitizuar, një administratë zgjedhore të çliruar nga militantët e partive, por të mbushur me njerëzit me të ndershëm dhe më të shkolluar të vendit, një proces transparent votimi dhe numërimi, deputetë dhe pushtetarë vendorë që dalin direkt nga vota popullore dhe jo nga listat e zeza të kryetarëve të partive.

ZGJIDHJA po kërkon dhe do të kërkojë pa u lodhur dhe pa u tërhequr këto që u renditën më sipër e të tjera dhe që janë normë qindra vjeçare në vendet demokratike të BE-së apo të globit.

Kjo kërkesë ‘minimaliste’ do të thotë shumë për Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Rikthimi i votës, i të drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, do të jetë investimi më i madh i Europës për Shqipërinë. Qindra milionë euro nga BE me ndihma për konsolidimin e demokracisë, shoqërisë civile, institucioneve, programeve mbështetëse për bujqësinë, drejtësinë apo për përafrimin e legjislacionit do të jenë nul, nëse Parlamenti Europian nuk imponon zgjedhje të lira dhe të barabarta në vend.

Europa nuk duhet ta braktisë Shqipërinë, nuk duhet ta lërë në duart e mafies së partive të vjetra, sepse ato me luftë, apo me marrëveshje, do ta gjejnë gjuhën e përbashkët. Ajo nuk duhet të braktisë shqiptarët, të cilët, edhe 28 vite pas rënies së rregjimit komunist ende kanë si parrullë ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: