MAQEDONI- Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ndodhet në Maqedoni në një vizitë zyrtare dy ditore ku është takuar me homologun e saj Zoran Jolevski por edhe me krerë të lartë të shtetit si dhe përfaqësues të forcave politike në vend. Gjatë takimit me Ministrin e Mbrojtjes së Maqedonisë Jolevski, dy bashkëbiseduesit ndanë vullnetin për
forcimin e bashkëpunimit mes dy ministrive dhe mes dy vendeve mike.

Ministrja Kodheli i rikonfirmoi homologut të saj maqedonas se “Shqipëria mbështet anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe uron që vendi ynë fqinj shumë shpejt të bëhet anëtare me të drejta të plota e Aleancës”. Të dy ministrat nënvizuan se, Shqipëria dhe Maqedonia mbeten të angazhuara në luftën e tyre kundër terrorizmit dhe çdo lloji tjetër kërcënimi për paqen, sigurinë e qytetarëve tanë dhe vlerave demokratike të dy vendeve tona.

Ministrja Kodheli pati një takim edhe me Presidentin e vendit Gjorge Ivanov, të cilin e siguroi se Shqipëria do të qëndrojë në krah të Maqedonisë në përpjekjet për t’u bërë pjesë e Aleancës. “Qartësisht Shqipëria ka luajtur një rol konstruktiv në marrëdhëniet me Maqedoninë edhe në momente tensionesh ndëretnike. Për Shqipërinë, paqja dhe stabiliteti i Maqedonisë janë interes kombëtar i shqiptarëve. Dialogu dhe veprimi i shtetit ligjor për të gjithë qytetarët njëlloj do të ndihmonte në përmirësimin e mirëbesimit ndëretnik”, nënvizoi Kodheli gjatë takimit me Ivanov.

Ajo u prit në një takim edhe nga Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski ku u diskutua për sfidat më të mëdha me të cilat po përballet, jo vetëm rajoni por mbarë bota, siç është terrorizmi. Kodheli tha se e vetmja mënyrë për t’i bërë ballë terrorizmit është bashkëpunimi mes vendeve tona dhe besimi i palëkundur te NATO.
Në të gjitha takimet, Ministrja e Mbrojtjes kërkoi zbatimin pa zvarritje të “Marrëveshjes së Ohrit”, duke e vlerësuar si domosdoshmëri të vendosur nga NATO, për anëtarësimin e plotë në Aleancë.

Duke i’u referuar çështjes së emrit, Kodheli tha se Shqipëria mbështet zgjidhjen sa më të shpejtë të çështjes së emrit, konform qëndrimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Ministrja pati një takim edhe me zv/kryeministrin Musa Xhaferri, kryetarin e komisionit të Sigurisë Parlamentare Emil Dimitriev.

Gjatë qëndrimit në Maqedoni, ministrja e Mbrojtjes do të nënshkruajë edhe “Memorandumin Për Shkëmbimin e Ekspertëve”. Në ditën e dytë të vizitës në Maqedoni, Ministrja Kodheli do të ketë takime edhe me drejtuesit e partive politike shqiptare, kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti dhe kryetarin e PDSH-së Menduh Thaçi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb