TIRANË

Deputetja socialiste Mimi Kodheli ka folur për vendimet e opozitës në “A show” në News24. Ajo tha se opozita e ka humbur busullën, ndërsa maxhoranca ka hallet e veta.


“Busulla është e rëndësishme në jetë sepse të përcakton disa ekuilibra që duhet t’i kesh, pavarësisht tundimeve, pavarësisht erërave. Nuk e di nëse busulla quhet shikim por busullën e ka humbur opozita.
Maxhoranca mund të ketë problemet e veta, nuk dua të fshihem pas gishtit. Problemet e maxhorancës dhe opozitës shqiptare janë problemet e shoqërisë shqiptare. Ne merremi dhe me hallet e opozitës sepse merremi me hallet e gjithë Shqipërisë”, tha Kodheli.


Për sa i përket qëndrimeve kritike, Kodheli tha se nuk janë domosdoshmërisht kundër. “Të jesh kritik nuk do të thotë të jesh kundër. Do të thotë t’i shikosh në ndonjë këndvështrim ndryshe por jo domosdoshmërisht të jesh kundër”, tha ajo.


Kodheli ka komentuar edhe vallëzimin e kryeministrit Edi Rama me gratë në Fier me rastin 8 marsit.

“Ka bërë një gjest populist. Populizmin varet si e përdor se ka parti që e përdorin dhe drejtojnë vende të mëdha. Ka disa kategori politikanësh. Ka qenë një ditë feste dhe kanë festuar ashtu siç e kanë menduar”- tha Kodheli.

(m.k/BalkanWeb)