TIRANE – Maxhoranca ka miratuar dje, me 84 vota pro dhe asnjë kundër, ndryshimet e reja në Kodin Rrugor, në të cilin shkelja e semaforit do të ndëshkohet me 20 deri në 30 mijë lekë gjobë.

Gjatë seancës, maxhoranca është tërhequr nga propozimi i socialistit Artan Gaçi, sipas të cilit do të ndaloheshin për t’u regjistruar në Shqipëri makinat me timon në krahun e djathtë ose siç njihen ndryshe automjetet me “timon anglez”.

Tërheqja erdhi për shkak se ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, kërkoi që neni i propozuar të ishte specifik dhe të mos penalizonte importin e makinave me timon në krah të djathtë. Kjo kërkesë e Haxhinastos u mor parasysh nga kreu i Komisionit të Veprimtarisë, i cili kërkoi që propozimi të kalojë sërish në Kuvend për t’u riparë dhe duke u shtyrë në kohë. Po ashtu, një tjetër propozim i shtyrë ishte ai për të liberalizuar certifikimin teknik të automjeteve, që sipas propozimit mund të realizohej dhe pranë koncesionarëve apo subjekteve të licencuara.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: