NGA ISIDOR KOTI


Aq i rëndësishëm është menaxhimi i kohës në organizimin e aktivitetit ditor në punët e pallatit, saqë, jo vetëm duhet t’i bësh ato të gjitha por edhe të mbash një balancë në realizimin e tyre. Menaxhimi i kohës dhe vendosja e qëllimeve zakonisht janë të shoqëruara bashkë, sepse këto qëllime duhet të arrihen në një afat të caktuar.


Përderisa banori paguan për shërbimet, ai ka të drejtë të kërkojë llogari për realizimin e çdo mungese ose problemi të prekshëm. Madje, brenda kësaj të drejte që i takon, ai mund të kërkojë edhe kohën e shpejtë, sidomos për shërbime emergjente, si: pompa e ujit, rregullimi i ashensorit, pastrimi i shkallës, ose rregullimi i një dere problematike, etj.


Administratorët që duan të menaxhojnë kohën ose të caktojnë orë ose ditë, gjithmonë hasin probleme që i bëjnë ndonjëherë të dështojnë. Kjo u shkakton atyre humbje të besimit në aftësinë për të përdorur oraret kohore. Ata mund të justifikohen për arsye nga më të ndryshmet dhe plotësisht të kuptueshme, por barra e përgjegjësisë i mbetet atij që është përgjegjës, sepse ai e ka marrë përsipër këtë pozicion. Prandaj është e rëndësishme qasja në kohë paraprake për ta parandaluar problemin e mundshëm.

Një pompë uji nuk mund të dëmtohet menjëherë, ajo ka arsye që duhen konstatuar që në fillim; një ashensor që është bllokuar ka pasur telashe të mëhershme që ndoshta nuk janë vënë re, që do të thotë se është neglizhuar me ose pa dashje. Kjo është arsyeja pse çdo pajisje e rëndësishme shoqërohet me libër shërbimi. Këtu bëjnë përjashtim vetëm rastet e emergjencave që vijnë nga fenomenet natyrore (rrufeja, etj.) Edhe për këto raste ka pajisje dhe mundësi praktike për ta zgjidhur problemin brenda një kohë të shkurtër. Por më parë duhen planifikuar masat, pa përjashtuar asnjë probabilitet.

Pra, duke shfrytëzuar saktë kohën, jo vetëm bëhen më mirë gjërat sesa të tjerët, por edhe i bën pajisjet të jetojnë më gjatë. E gjithë kjo vërteton faktin se sa i rëndësishëm është vlerësimi i gjendjes dhe marrja e vendimeve për përcaktimin e planeve të kontrollit të herë pas hershëm për përdorimin e të dhënave për kontrollin e performancës dhe të nivelit të progresit kundrejt planeve. Menaxhimi i drejtë i kohës ndihmon njëkohësisht ambientin dhe banorët për të krijuar një atmosferë të qetë e të këndshme bashkëjetese.

Shumë njerëz mendojnë se faji i gjendjes së mirëmbajtjes vjen nga faktorë të jashtëm dhe pjesa tjetër mendojnë se bashkëpronësia te ne nuk është kulturë. Koha e ndërtimit të pallatit ose kompleksit të banimit nuk është përcaktuese në cilësinë e mirë ose të dobët të ambienteve të përbashkëta, por menaxhimi i kohës në mirëmbajtje është vendimtar. Rasti i shumë pallateve të ndërtuara në Tiranë këta 25 vjet e vërteton më së miri këtë tezë.

Sot mund të bëjmë krahasime mes pallateve të ndërtuara në kohë të gjatë e ato të ndërtuara vitet e fundit. Nuk duhet të çuditemi pse ambientet e përbashkëta në pallatet e hershme janë më cilësore se të rejat, sepse vet banorët e përcaktojnë fatin e pronës.

Nëse ka një metodë me të cilën një moment krahasohet me tjetrin është koha. Duke krahasuar momentin në të cilin jeton me atë çfarë ka në kujtesë, gjithsecili e kupton punën dhe ndryshimin e kryer në tërësi. Në administrimin e pallatit koha nuk i atribuohet thjesht një personi që është caktuar nga komuniteti për të menaxhuar ambientet e përbashkëta. Koha iu përket të gjithëve, pikërisht atëherë kur shumica vendos të ndryshojë të tashmen. Nëse nuk bëhet ky krahasim raportesh, nuk do të ekzistonte koncepti i kohës as në evolucionin e ambienteve të përbashkëta. Planifikimi i kohës në këtë fushë të re e shumë të rëndësishme menaxhimi mundëson shfrytëzim më të mirë të kohës, eliminimin e ngjarjeve të padëshirueshme, minimizimin e stresit të dhjetëra e qindra banorëve në komunitet dhe ikjen nga problemet e vjetra.

Të zgjidhësh problemet në kohë të shpejtë, në mënyrë që banorëve të mos ju mungojë asnjë shërbim bazik, iu jep atyre ndjenjë sigurie dhe besimi. Siguria komforte asnjëherë s’do paguajë kosto të mëdha nëse menaxhohet koha dhe përkushtimi në punët e përditshme ose periodike që duhet të kryhen në një pallat. Administratorët e pallateve janë menaxherët që në procesin e punës bashkojnë dhe koordinojnë të gjitha burimet humane dhe materiale për arritjen e objektivave.

Sigurisht, objektivi parësor është ky: kur banori të niset në mëngjes në punë, të gjejë shkallë të pastruara, ashensor funksional e pa zhurmë, mundësisht me aromë të mirë dhe kur të kthehet i lodhur nga streset e punës, të gjejë në ambientin e tij jashtë shtëpisë, po të njëjtat kushte që e bëjnë atë të ndihet rehat dhe i shërbyer më së miri.

Menaxhimi i kohës është një proces social që ka përgjegjësi për planifikimin dhe rregullimin efektiv të çdo aspekti praktik në mirëmbajtjen e ambienteve të përbashkëta. Me kalimin e viteve, njerëzit do e kuptojnë sa vlerë merr prona e përbashkët dhe ajo brenda katër mureve të shtëpisë nëse do t’i kushtohet rëndësi e vazhdueshme mirëmbajtjes në kohë dhe me parametrat bashkëkohorë.

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: