Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar sërish lidhur me vendimin e Parlamentit Evropian për të miratuar rezolutën për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Balla shkruan në “Facebook” se, sipas PE, Shqipëria dhe Maqedonia i plotësojnë kërkesat për hapjen e negociatave, ndërsa shton se eurodeputetët shprehin keqardhje për vendimin e Francës, Danimarkës dhe Holandës për të bllokuar vendimmarrjen.

Balla publikon mesazhin e Parlamentit Evropian pas miratimit të rezolutës pro Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ku thuhet ndër të tjera se “koha për hapjen e negociatave është tani”.

Mesazhi i plotë i Ballës:
Në Rezolutën e miratuar sot, Parlamenti Evropian thekson se Shqipëria dhe Maqedonia plotësojnë kërkesat për të hapur negociatat për anëtarësim.

“Parlamenti shpreh zhgënjim të thellë ndaj dështimit për të rënë dakord në samitin e BE-së në 17-18 tetor, për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Eurodeputetët shprehin keqardhje për vendimin e Francës, Danimarkës dhe Hollandës për të bllokuar vendimarrjen dhe thonë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë përpjekje të konsiderueshme gjatë viteve të fundit dhe plotësojnë kriteret e BE-së për të filluar bisedimet e anëtarësimit.

Duke vlerësuar përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për të zgjidhur çështje të vështira dypalëshe me vendet e saj fqinje, eurodeputetët gjithashtu mirëpresin reformat e fundit të gjyqësorit në Shqipëri.

Një gabim strategjik
Parlamenti thekson se “mosmarrja e vendimit” nga drejtuesit e BE-së është një gabim strategjik, i cili dëmton besueshmërinë e BE-së dhe dërgon një mesazh negativ për vendet e tjera potenciale kandidate. Ajo mund të mundësojë gjithashtu që aktorët e tjerë të huaj – veprimtaria e të cilëve mund të mos jetë në përputhje me vlerat dhe interesat e BE-së – të angazhohen më tepër me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, shtojnë eurodeputetët.

Një reformë e procesit të zgjerimit, e mbrojtur nga disa vende, nuk duhet të pengojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat tashmë plotësojnë kërkesat për t’u vlerësuar në bazë të meritave të tyre dhe kritereve objektive, dhe jo të gjykohen nga agjendat politike të brendshme në vendet e tjera, thuhet në tekst.

Koha për hapjen e negociatave është tani
Eurodeputetët u kërkojnë vendeve të BE-së të veprojnë me përgjegjësi ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe të marrin një vendim unanim pozitiv në mbledhjen e ardhshme. Parlamenti duhet të rrisë aktivitetet e tij të mbështetjes së demokracisë për të siguruar që parlamentet kombëtarë në Ballkanin Perëndimor të luajnë rolin e tyre si motorë për reformat demokratike, shtojnë ata”, thuhet në njoftimin për shtyp të Parlamentit Europian. Teksti u miratua me 412 vota pro, 136 kundër dhe 30 abstenime.

  • foto galeri

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb