Një ditë pas promovimit të librit të saj “Koha për politikë”, ish-deputetja e PD-së, Grida Duma tregon detaje nga ajo çfarë ka dashur të përcjellë tek lexuesit. E ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në “News24” Duma deklaroi se politika e sotme ka humbur besueshmërinë e qytetarëve, pasi nuk arriti t’i bënte të pasur ata.

Mes të tjerash demokratja tha se shqiptarët nuk i ka lodhur politika, por zhurma e klasës politike.

“Pjesa e politikës është më pak e rëndësishme për njerëzit. E kam titulluar ‘Koha për politikë’ me arsyen se jemi dhe duhet të qartësohemi, se politika është ajo që bën produkt. Politika e deritanishme, ka humbur kuptim dhe kredibilitet. Arsyeja është se nuk ka prodhuar pasurimin e shqiptarëve. E kam thënë edhe vite më parë, ka vetëm një mision për politikën; të pasurojë shqiptarët. Është e pafalshme, e mëkatshme. Çfarë dua të sjell unë në të voglën time? Nuk kam shpikur asgjë. S’kam krijuar nga hiçi asgjë (flet për librin). Duhet të marrim modele të mira. Kam folur për sektorë se si të bëhet më mirë. Nëse ne bëjmë vetëm një gjë. S’kemi bërë asgjë. Ekonomia shqiptare ka nevojë për ndërhyrje kapilare dhe të njëkohshme. Çfarë kemi ne sot problem? Jemi 2-3 ditë para hapjes së negociatave. Hapja e negociatave do të thotë se një sektor për ty do të sjellë të mira. Siç është bujqësia, që mund të çojë vendin në produkte ‘Made in Albania’ dhe të krijojë vende pune. Nuk është shteruese, pasi s’kam thënë se sa buxhet duhet të hidhet aty. E dimë me gishtat e dorës, që po të sjellim 10 investime të huaja në Shqipëri, i kemi bërë të gjitha. S’kemi nevojë pastaj për lobim. Edhe Konica kërkoi vetëm 3 minuta kohë para ministrit austriak, pasi tha; në Shqipëri ka naftë. Dhe sot kemi naftë falë atyre investimeve”, tha Duma.

Teksa renditi disa nga shqetësimet që vuan sot vendi ynë, siç është problemi me pronat, apo dhe arsimi e shëndetësia, Duma sqaroi tezat e saj liberale që i ka paraqitur si alternativa zgjidhjeje në libër.

“Ka pronarë dhe jo ish-pronarë. Epopeja e pronës duhet të mbarojë. Jam përpjekur ta jap një përpjekje timen, siç është kredia zhvillimore. Jemi të fundit në rajon që marrim fonde. Sektorët që janë trajtuar, kanë një qëllim të vetëm; si të pasurohet shqiptari normal. Të ndalemi tek karta e shëndetit. Jemi sot në një situatë që paguajmë për shëndetësinë, por s’marrim asnjë shërbim. Nuk ka shqiptar që nuk vizitohet vetëm një herë, por ka koste 3-fish. Sot jemi në një kaos total sa i takon rankimi të shërbimit shëndetësor. Duhet të ndodh një rankim. Ashtu sikur me arsimin, që mos të kuptojmë se po paguajmë 5-fish. Sot shqiptarët harxhojnë kursimet e tyre për t’i shkolluar fëmijët jashtë. Sot ne paguajmë për arsimin, ose nëpërmjet taksave, ose nëpërmjet xhepit. Por ne ende se dimë, se sa kushton diploma shqiptare. Universitet shqiptare pa kërkim shkencor, nuk janë universitete. Arsimi kushton, por duhet të kuptojmë se sa kushton një diplomë për një student. 12 tezat liberale i shkruaja, por nuk kisha asnjë iluzion që do të lexoheshin nga e majta “Libri “Perspektiva liberale, 12 ide përtej 2013”). Mendoj se nuk kemi hyrë në politikën e ideve, s’po bëjmë akoma. Pikërisht kur njerëzit thonë; na lodhi politika, them se i ka lodhur zhurma që bëjnë politikanët. Ka një detyrim; që politika të zgjidh gjëra. Njerëzit janë më të mençur se ne”, pohoi ish-deputetja.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb