Shqipëria sot është në një moment me rëndësi historike dhe vendimtare për të ardhmen e vendit. Në aspektin pozitiv, mund të renditen lehtazi disa nga arritjet kryesore për vendin sikurse është edhe marrja e rekomandimit nga Komisioni Evropian për hapjen e negociatave menjëherë dhe pa kushte. Për më tepër, është bërë progres i dukshëm me reforma thelbësore për zhvillimin e demokracisë dhe shoqërisë shqiptare sikurse reforma në sistemin e drejtësisë, reforma në administratën publike dhe shërbimet. Përpjekjet dhe arritjet e Qeverisë shqiptare sa i takon thellimit të reformave i kanë mbështetur dhe konfirmuar edhe partnerët ndërkombëtar si BE-ja dhe SHBA-të. Tashmë Shqipëria po kalon një process transformues rrënjësor sa i takon përmirësimit të mëtejshëm të qeverisjes, ekonomisë dhe mirëqënies për çdo qytetar. Të gjitha këto janë pjesë e vizionit dhe punës së madhe për tu bërë pjesë e familjes Europiane. Duke qenë e ndërgjegjshme për zhvillimet politike, historike, ekonomike dhe shoqërore që ka kaluar Shqipëria në këto tridhjetë vjet dhe duke njohur realitetin e sotëm të shoqërisë dhe ekonomisë sonë, jam e bindur që Shqipëria është sot më mirë sesa ka qenë ndonjëherë dhe në rrugën e duhur drejt anëtarësimit në BE.


Megjithatë, problemeve të Shqipërisë nuk i ka ardhur domosdoshmërisht fundi, përkundrazi shumë sfida janë përpara për ne si mazhorancë qeverisëse, por edhe për të gjithë aktorët e tjerë. Nga njëra anë mjafton të përmendim këtu që klima ndërkombëtare e globalizimit nuk është me e njëjta. Fenomene si cënimi i sigurisë kombëtare dhe rajonale, rritja e ekstremizmit të dhunshëm, përhapja e terrorizmit, zhvillimet teknologjike të shpejta dhe shumë të avancuara na shtrojnë përpara sfida të tjera të qeverisjes. Nga ana tjetër zhvillime shoqërore të brendshme si dëshira e madhe për emigracion, eksplorimi për një jetë më të mirë, rritja e konkurrencës rajonale e më tej edhe Europiane, na bëjnë që të përqëndrohemi më shumë tek cilësia e arsimit, shërbimeve shëndetësore, shërbimeve sociale dhe në tërësi rritjes së mirëqënies dhe nivelit të jetesës për çdo qytetar. Paralelisht me këto sfida, po punojmë për të forcuar shtetin e së drejtës, ku Kushtetuta dhe Ligji të mbizotërojnë mbi dëshirat dhe interesat tona personale e partiake apo dëshirës për pushtet dhe qeverisje.


Na duhet akoma shumë punë për të forcuar më tej administraten publike që ajo jo vetëm të jetë e gatshme që me profesionalizëm dhe eficensë të ofrojë shërbime për qytetarët, t’i japë zgjidhje pyetjeve të tyre, por të jetë e gatshme nesër tu përgjigjet gjithë kërkesave që do të shtohen gjatë procesit të anëtarësimit.


Në këtë moment historik të gjitha palët politike duhet të bashkëpunojnë me njëra tjetrën për të vendosur ardhmërinë e Shqipërisë të parën dhe mbi çdo interes tjetër. Mbi të gjitha kemi nevojë për një President që në një republikë parlamentare si kjo e jona të jetë i paanshëm dhe i pavarur, si një organ që qëndron mbi palët dhe që nuk bën pjesë në to, si një institucion që nuk mund të jetë aktiv në proceset vendimmarrëse politike me qëllim shmangien e qëndrimeve politiko – partiake në ushtrimin e funksioneve të tij shtetërore; që duhet të siguroje të drejtat kushtetuese për çdo individ në Republikën e Shqipërisë, përfshi këtu dhe të drejtën e votës. Realiteti është krejt ndryshe.

Sot kemi një opozitë të verbër ndaj së mirës së vendit. Një opozitë që ka mbetur pa alternativë, pa vizion dhe pa qëllim për zhvillimin e vendit. Një opozitë që i gëzohet imazhit të turbulluar të Shqipërisë në tabloidet ndërkombëtare që ata vetë kanë botuar.

Sot, Presidenti i Republikës merr vendime si i anshëm, bëhet palë me opozitën dhe merr vendime si kryetar Partie, duke anulluar datën e zgjedhjeve, duke harruar se ai duhet të jetë mbi palët, e jo si një arbitër që vendos të ndalojë ndeshjen në minutën e saj të 30-të.

Ai sot, krijon një akt të paprecedentë që synon të mohojë realizimin e së drejtës kushtetuese të shtetasve shqiptarë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor.

Po, është e vërtetë që kemi dy raste të tjera ku presidentët kanë dekretuar shtyrje të datës së zgjedhjeve. Presidenti Moisiu më 2007 dekretoi shtyrje të datës së zgjedhjeve jashtë periudhës zgjedhore, vetëm pasi Parlamenti miratoi ndryshimin e Kodit Zgjedhor referuar vetëm zgjedhjeve të vitit 2007 Presidenti Nishani, dekretoi ndryshim e datës së zgjedhjeve për Kuvendin në 2017, pas kërkesës së partive politike, pas procesit të konsultimit me to, biles duke e kërkuar dhe me shkrim një gjë të tillë. Këto dy raste skanë asnjë relevancë dhe bazë krahasimi me rastin aktual të vendimit të Presidentit Meta, ku vendimi merret i njëanshëm, i pakërkuar nga të gjitha forcat politike, pa një proces konsultimi me palët dhe më keq akoma pasi forcat politike të rregjistruara në KQZ kanë filluar fushatën zgjedhore dhe vetëm 22 ditë para datës së dekretuar të zgjedhjeve, ndaj dhe përpjekja për të gjetur një precendent të tillë në Shqipëri është e dështuar.

Ky akt është një atentat ndaj Kushtetutës së vendit pasi bie në kundërshtim flagrant me një sërë dispozitash kushtetuese si shkelja e parimit te unitetit kombëtar; parimit e periodicitetit të zgjedhjeve; parimit te sovranitetit të popullit; zgjatja organeve vendore mandatin tej afatit kushtetues. Presidenti shkeli dhe traditën kushtetuese të konsultimit të palëve.

Shqiptarët duan dhe duhet të kenë mundësinë të zgjedhin. Një herë në katër vite janë ato që zgjedhin administratorët e Bashkive, është dita e tyre dhe jo e politikës as e Qeverisë.
Ne, elita politike duhet të jemi në gjendje t’i ofrojmë qytetarëve alternativat më të mira, lidershipin më të mirë politik që të përballojmë sfidat aktuale dhe të së ardhmes.

Kjo maxhorancë i ka të gjitha burimet për t’i ofruar më të mirën Shqipërisë, por asnjëherë nuk do të jetë e gatshme të anashkalojë Kushtetuten dhe Ligjin. Precendentit të rrezikshëm ku burrat ulen dhe kuvendojnë dhe marrin vendime të rëndesishme për të ardhmen e Shqipërisë në tavolinë dhe pa transparencë i ka mbaruar afati. Ka ardhur koha që të gjitha partitë politike në vend të reformohen në mendësi europiane dhe të demokratizohen së brendshmi, me qëllim që të jenë gati për të përballuar sfidat e së ardhmes.

Pas 30 Qershorit, kjo maxhorancë do të dijë të japë modelin më të mirë të lidershipit politik dhe do vendosë një gur kilometrik në shtet-formimin e vendit. Jam e bindur që pas 30 Qershorit një fazë e re do fillojë për Shqipërinë Europiane.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: