Edhe pse është pothuajse e sigurt që Këshilli i Evropës dhe të 28 parlamentet e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian do ta shtyjnë vendimin për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në shtator, ose tetor si për Shqipërinë dhe për Maqedoninë e Veriut (ngaqë nuk ka kohë materiale mjaftueshëm deri më 29 qershor për të shqyrtuar propozimin e Komisionit Evropian), ne duhet ta kishim bërë tonën. Dhe këtu, në këtë shtyrje, nuk ka të bëjë fare puna jonë për integrimin, pse ajo është vlerësuar nga Komisioni Evropian. Është thjesht një procedurë që kërkon kohë më shumë për të 28 parlamentet e shteteve anëtare. Por ne, pavarësisht nga kjo shtytje që do të ndodhë, duhet të kishim qenë në lëvizje të plotë. Në aktivitet me të tërë motorët ndezur.

Dhe nuk jemi! Duhet të kishim nxjerrë një rezolutë të parlamentit, që mbështet procesin e integrimit dhe u premton solemnisht shteteve anëtare se vendi ynë do të bëjë maksimumin për të plotësuar detyrat e shtëpisë gjatë gjithë kohës së bisedimeve. Ky dokument duhej të kishte dalë dje nga Kuvendi. I shoqëruar, përse jo, edhe me një plan kombëtar masash për të përshpejtuar (për gjërat që varen nga ne) procesin e integrimit. “Copa letrash!”, mund të thotë dikush. Po, por ato kanë rëndësinë e tyre. Vendeve si Kroacia dhe më herët Sllovakia, Polonia, apo edhe Bullgaria e Rumania, këto copa letrash u kanë ndihur shumë në proceset e tyre integruese. Dhe të dyja këto dokumente duhej të ishin të firmosura nga të gjithë anëtarët e kuvendit. Edhe përfaqësuesit surogato të pakicës. Le të shërbenin për diçka edhe ata. Të justifikonin rrogën që po marrin. Por, një gjë e tillë nuk ndodhi. Nuk jemi kurrë vonë për ta bërë! Ndoshta e bëjmë në seancën e ardhshme të Kuvendit. Po ashtu, ekipe me përbërje si deputetë të shumicës dhe nga surogatot e pakicës duhej të ishin nisur për vizitë dhe dhënie informacioni pranë parlamenteve të shteteve mosbesuese ndaj nesh (nuk janë pak: Holanda, Franca, Belgjika dhe edhe ndonjë vend tjetër anëtar i BE-së). Kurse parlamenti ynë u mor me “e lagu s’e lagu”-t tona të brendshme dhe si gjithnjë, humbëm kohë të çmuar. Socialistët vepruan mirë që nuk e shtynë përplasjen me kreun e shtetit deri në kërkesën për shkarkimin e tij. Kjo do të kishte ndezur inkandeshent tensionin politik në vend. Edhe kështu, të ngritur në maksimum.

Një lëvizje e tillë do të shikohej me dyshim edhe në BE dhe SHBA, pse acarimi i mëtejshëm i situatës nuk na shërben jo vetëm ne jo e jo, por edhe qëndrueshmërisë në Ballkan. Të zënë me lëvizjet e fundit politike dhe me lajmet rrufe për to nga mediat tona, duket sikur jetojmë vetëm me politikën e pabukë që prodhohet kaq shumë tek ne. Por jo. Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë dhe nuk duhet pse të jetojnë vetëm me politikë. Madje, mund të thuhet se si qytetarë, ndihemi të tejngopur nga protagonizmi fals i saj në këto muajt e fundit. Vendi ka nevojë të konsumojë shpresë dhe programe për të ardhmen. Të nxisë kreditimin, i cili ka marrë për mirë. Me gjithë këta muaj të tensionuar politikisht, bankat tregtare të dërgojnë edhe mesazh në celular se mund të përfitosh kredi deri 1.5 milionë lekë të reja vetëm duke paraqitur kartën e identitetit, ngaqë ke qenë klient i mirë i tyre. Pas asnjë dokument shtesë. Kjo është gjë e mirë. Shumë e mirë. Po mori lëvizje të fortë kredia për konsumin, do të ecë vendi ynë. Aty qëndron sfida jonë më e madhe, së bashku me integrimin evropian dhe reformën në drejtësi. Këto janë tre yjet e veriut për shqiptarët. Dhe jo protagonizmi fals sa nga pakica (sidomos prej saj) e vetëmërguar nga Kuvendi dhe nga shumica qeverisëse. Qeveria duhet të caktojë një zv.kryeministër për integrimin, që të japë mesazhin (të paktën ajo) se e ka shumë seriozisht këtë proces dhe po bën maksimumin. Vetëm me vizita dhe deklarata nuk ndihmohet realisht ky proces që është biznes madhor për të gjithë ne shqiptarët. Deri tani, të futur në një qerthull dhe shteg qorr të përplasjes shumicë-pakicë për pushtet, pa asnjë rregull demokratik tashmë (përplasje që po vazhdon prej katër muajsh), kemi konsumuar të gjithë vetëm politikë. Duke harruar gjërat tona më kryesore. Si po shkon ekonomia? A po e ndihmon kjo qeveri ekonominë e qytetarëve aq sa duhet? Si po shkon reforma në drejtësi, ky margaritar i ndërtimit të shtetit të së drejtës që duket tashmë i harruar në fund të oqeanit? Dhe si po shkon integrimi? Ose më mirë, ç’po bëjmë ne për të (përveç hedhjes së molotovëve, kapsollave dhe e “lagu s’e lagu”-t e përplasjeve pakicë-shumicë dhe më gjerë)? Ne po bëjmë shumë pak. Duhet të na vrasë ndërgjegjja. Dhe të nisim t’i kërkojmë llogari si shumicës (sidomos asaj) dhe pakicës se ç’po bëjnë për këto tri biznese dhe interesa tona madhore./Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb