Nga AURORA KOROMANI*


Organi i akuzës ka detaje të tjera lidhur me personat që janë përfshirë në grupin kriminal, që dyshohej se merrej me trafikimin e kokainës. Sipas të dhënave pranë grupit hetimor, në dosjen e organit të prokurorisë ekzistojnë provat që implikojnë anëtarët e grupit me përpunimin dhe trafikimin e kokainës. Burime pranë grupit hetimor sqarojnë se të gjithë pjesëtarët e këtij grupi, përveç Kastriot Ymerit, janë filmuar në laboratorin e drogës. Në dosjen e organit të akuzës, përveç përgjimeve, janë edhe filmimet e të gjithë të arrestuarve, të cilët jo vetëm që kanë qenë prezentë në laboratorin e drogës, por disa prej tyre duken edhe teksa nxjerrin jashtë solucionet e përdorura për nxjerrjen e drogës së pastër. Në dosje, përveç pamjeve filmike janë edhe përgjimet mes anëtarëve të grupit, të cilat implikojnë në këtë rrjet nëntë personat e arrestuar, që janë lënë në burg, por edhe persona të tjerë, për të cilët priten veprime të tjera në ditët në vijim.


Organizatorët e trafikut
Në dosjen e prokurorisë ka edhe detaje të tjera përsa i përket mënyrës se si ishte organizuar rrjeti i trafikut të kokainës, që përpunohej në Xibrakë. Sipas të dhënave të grupit hetimor, dyshohet se përveç Ilir Hysenit, në krye të grupit qëndronte edhe një femër dhe konkretisht, partnerja e tij me shtetësi të huaj, me inicialet Pranvera E. Dyshohet se kjo e fundit ishte nisur për në Shqipëri për të ndjekur nga afër procesin e përpunimit dhe trafikut të kokainës dhe dyshohet se gjermanët kanë ndjekur pikërisht lëvizjet e saj për të mbërritur te grupi i trafikantëve. Në dosjen e organit të akuzës, ajo renditet në krye të listës, si një nga personat kyç në të gjithë procesin e trafikimit. Ndërkohë, për të arrestuarin tjetër Ilir Hyseni, prokurorët përdorin edhe emrin tjetër të Bali Metës dhe të gjithë të akuzuarit e tjerë dyshohet se kontrolloheshin nga këta të dy.


Përshkrimet në dosje

Një tjetër element në dosjen e prokurorisë janë edhe përshkrimet e të gjitha elementeve që janë gjetur në laboratorin e Xibrakës. Me detaje në dosje përshkruhen të gjitha ato që janë sekuestruar në magazinë, duke nisur që nga lënda organike dhe më pas duke vijuar me pluhurin e kokainës. “Në magazinë u sekuestrua në një peshore, një sasi prej 436 gr e cila ka karakteristikat e kokainës. Gjithashtu, e futur në qese apo thasë u sekuestrua edhe një sasi tjetër lënde pluhur me ngjyrë të bardhë, të përshkruara në detaje në këqyren e magazinës. Gjithashtu, u sekuestrua e futur në tre thasë një sasi me pluhur të kuqërremtë. I njëjti pluhur u gjend edhe në 30 qese plastmasi. Në fuçi apo enë të ndryshme u gjetën edhe sasi lëndësh kimike në gjendje të lëngshme apo tretësira, të cilat dyshohet se përdoreshin për procesin e përpunimit të substancës bazë ku ndodhej kokaina. Gjithashtu, u sekuestruan edhe shumë pajisje të cilat përdoreshin në procesin e përpunimit, si furra me mikrovalë, në pjatat e të cilave kishte mbetje pluhuri të bardhë që dyshohet si kokainë, presë, lavatriçe, boilerë, termometra, doreza plastike, provëza, bidonë me mbishkrime lëndësh acide, sobë gazi etj.”, citohet në një pjesë të dosjes së prokurorisë.

Kërkimet

Një tjetër emër i dyshuar si i përfshirë në grupin e trafikantëve është edhe ai i Genci Xhixhës, për të cilin është lëshuar një urdhër ndërkombëtar arresti. 39-vjeçari mendohet se jeton në Kubë, ndërkohë që ka të dhëna se në llogarinë e tij bankare janë derdhur shuma të mëdha parash nga disa prej emrave që tashmë janë arrestuar. Nga verifikimet, Xhixha rezulton të jetë edhe mik i Ermal Hoxhës, nipit të ish-diktatorit Enver Hoxha, që konsiderohet si financuesi i rrjetit. Kjo është provuar dhe nga rrjetet sociale, ku Xhixha ka postuar foto të Hoxhës dhe ka qenë nën shoqërinë e tij. Nga përgjimet që disponon grupi i akuzës rezulton se kokaina vinte në Shqipëri nga vendet e Amerikës Latine, e cila përmes rrugëve të Ballkanit vinte në Shqipëri dhe pasi përpunohej në laboratorin e Xibrakës, transportohej sërish drejt vendeve europiane dhe konkretisht drejt Gjermanisë. Ekspertët shprehen se lënda organike mendohet se vinte në Shqipëri e tretur në rroba fëmijësh, ose e përzier me një lëndë tjetër, e cila përdoret për lëkurët e kafshëve, por të gjithë dyshimet janë duke u hetuar.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)

(ar.sh/BalkanWeb)