TIRANË- Ndonëse operacioni për zbulimin e bazës së përpunimit të kokainës në Xibrakë të Elbasanit ishte bashkëpunim mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, duket se këto dy institucione nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët sa i takon se kush prej tyre mori indicien e parë nga shteti gjerman. Zyrtarisht Prokuroria e Krimeve të Rënda përmes një komunikate ka saktësuar se informacioni ka mbërritur nga ana e autoriteteve gjyqësore gjermane në Drejtorinë e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme më datë 17. dhjetor 2014 dhe ky informacion i është përcjellë Prokurorisë për Krime të Rënda, një ditë më pas, e cila regjistroi me iniciativë (kryesisht) procedimin penal për “trafikim të lëndëve narkotike” dhe vijoi hetimet lidhur me personat e dyshuar si të përfshirë në këtë grup të strukturuar kriminal.

Ky version kundërshtohet nga përfaqësues të Policisë së Shtetit.

Zv. drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për Krimet e Rënda, Haki Çako deklaroi në emisionin ‘Opinion’ të Blendi Fevziut se indicia fillestare për aktivitetin e grupit kriminal i është përcjellë fillimisht policisë e cila nga mesi i viti 2014 ka marrë informacione dhe sipas Çakos e ka referuar më pas në Prokurori

“Pa dashur të bëj dualitet me Prokurorinë, sepse ne jemi 2 institucione që bashkëpunojmë dhe i gjithë ky procedim ka qenë në bashkëpunim dhe me Prokurorinë e Krimeve të Rënda,
në këto kushte indicien fillistare e përcjellim ne dhe e kemi përcjellë ne. Njoftimi ka ardhur përpara disa muajve, ose më saktë rreth muajit tetor-nëtor, nga mesi i vitit. Informacioni bënte fjalë për një grup që kishte aktivitet në Shqipëri-Gjermani, por dhe itinerarin kuptohet. Pastaj gjithçka është në varësi të hetimit”, tha ai.

Një grup prokurorësh gjermanë kanë mbërritur tashmë në Shqipëri. Ata janë takuar me drejtues të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për shkëmbimin e informacioneve me qëllim zbërthimin e mëtejshëm të grupit të strukturuar kriminal që transportonte kokainë drejt shtetit gjerman. 9 personat e arrestuar pritet në fundjavë të dalin para gjykatës për vlerësimin e masës së arrestit, ndërkohë që mësohet se prokuroria ka kërkuar për ta arrest me burg.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb