TIRANË
Arbër Çekaj ka dalë sot para gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila ka konfirmuar ‘arrestin me burg’ për biznesmenin e bananeve që u arrestua dhe u ekstradua në Shqipëri pasi akuzohet për 613 kg kokainë të kapur në portin e Durrrësit.
Në pamjet e siguruara nga gazetarja Klodiana Lala për “BalkanWeb”, Çekaj , imazhi i të cilit është përdorur në media prej shkurtit të kaluar i përkiste shumë viteve më parë, shfaqet herë i menduar dhe herë duke buzëqeshur. Brenda kafazit të xhamit i shoqëruar nga një polic, Çekaj dëgjon me vëmendjen procesin dhe deklaratën e gjykatëses, ndërsa avokatët e tij konsultohen.
Sot Gjykata për Krime të Rënda ka lënë në fuqi vendimin arrest me burg të dhënë në mars të 2018 për Arbër Çekajn, pronari i ngarkesës me banane ku u kapen 613 kg kokainë.
Por avokati Maks Haxhia ka kërkuar revokim mase, dhe ndryshimin e saj në një masë më të butë. Sipas avokatit Arbër Çekaj ka pasur vetëm bananet, ndërsa pronari i kontejnerit ka qenë tjetër person dhe ai duhet hetuar. Arbër Çekaj sipas avokatit nuk ka lidhje me këtë ngjarje.
(m.k/BalkanWeb)