TIRANE

Kreu i partisë zgjidhja, Koço Kokëdhima i është rikthyer tezës së tij për legalizimin e kanabisit. “Ndër shtetet e rajonit, vetëm Shqipëria nuk ka marrë asnjë hap për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe kthimin e tij në ekonomi kombëtare, siç po bëjnë Greqia apo Maqedonia e Veriut, ndonëse kryetari i Zgjidhja-s, Koço Kokëdhima, e propozoi këtë që në nëntor 2014, kur ishte deputet i PS-së”-thuhet në deklaratën e partisë Zgjidhja shpërndarë mediave.

Në këtë deklarata ‘Zgjidhja’ i referohet një rezulotute sipas së cilës deputetët e Parlamentit Europian i bënë thirrje Komisionit Europian dhe autoriteteve kombëtare të shteteve anëtare të BE-së, që të legalizohet dhe përdoret kanabisi mjekësor. Ndërsa sjell shembuj të shteteve të ndryshme në Botë e rajon që kanë ndërmarrë këtë nismë, Partia Zgjidhja thotë se vetëm Shqipëria ka mbetur jashtë kësaj harte të ekonomisë kombëtare të kanabisit dhe përdorimit të tij për qëllime mjekësore, ekonomike dhe rekreative.

“Zgjidhja deklaron se partitë e vjetra nuk duan ta heqin nga duart këtë monopol dhe përfitimet e jashtëligjshme që marrin në bashkëpunim me krimin e organizuar, duke ia mohuar ekonomisë kombëtare dhe popullit, legalizimin e kanabisit, edhe pse vendi po del nga ekonomia botërore e kanabisit. Zgjidhja uron që atëherë të mos jetë vonë, por ajo në pushtet do ta realizojë këtë objektiv që shkëput lidhjet e politikës me krimin dhe që e kthen atë në ekonomi në shërbim të vendit dhe të shqiptarëve.”thuhet në deklaratë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb