TIRANE

Partia ‘Zgjidhja’ ka mbledhur sot kongresin e saj të parë, ku pritet të zgjidhen anëtarët e forumit me një mandat 4-vjecar. Në fjalën e tij kreu i partisë ‘Zgjidhja” tha se partia që ai drejton  është një parti e mirëorganizuar, dhe e aftë për misionin politik, udhëheqjen e popullit për bashkim kombëtar.

Kokëdhima foli me tone të ashpra ndaj dy partive më të mëdha në vend, PS e PD për të cilat tha se uajnë ndikimin e tyre me pushtet abuziv,punësimeve në administratë, kurrupsionit e kapjes së zgjedhjeve e se kanë zëvendësuar partinë shtet të diktaturës.

“Partitë e vjetra e ruajnë ndikimin e tyre me pushtet abuziv,punësimeve në administratë, kurrupsionit e kapjes së zgjedhjeve. Kanë zëvendësuar partinë shtet të diktaturës.

‘Zgjidhja’ është forca e parë politike antisistem në Shqipëri. Elitat politike kudo këtu janë po të njëjtë anadollakë gjithmonë.  ‘Zgjidhja’ garanton çarjen e kënetës politike shqiptare. ‘Zgjidhja’ denoncoi ujdinë PS – PD që ka rrëzuar sundimin e ligjit, dhe zgjedhjet e lira. ‘Zgjidhja’ mundëson e përmirëson situatën përcakton reformat e domosdoshme. Mirëqënia e një populli përcaktohet nga politikat e mira. Pas 30 vitesh tranzicion, Shqipëria përballet me kriza shumë të rënda. Liderët e PS e PD na kanë manipuluar me përralla të mira nën qeverisjen e tyre. Na mashtruan e na vodhën, e shqiptarët i dërguan nga sytë këmbët. Me shpurat e tyre ndihen të lumtur. Qytetarët këtu s’kanë vend e të drejta. ‘Zgjidhja’ ka paraqitur platformën e saj me vizion e ide. Kërkesat për zgjedhje të lira, për bashkëqeverisje me popullin, sot janë pjesë e debatit. Tezat tona u goditën, nga shpifësit për ta bërë të pabesueshëm projektin e partisë ‘Zgjidhja’. Ne u ndeshëm me vendosmëri  e i mbrojtëm idetë tona të drejta. Tani janë mijëra shqiptarë që kuptojnë se projekti ynë nuk ka alternativë. Një nga aksionet politike ishte ‘unë zgjedh deputetin që dua’, t’ia kthejë këtë të drejtë popullit sovran. Shohim tani shumë aktorë të përfshirë. Platforma jonë është për ndryshim e hapje të sistemit. Nxitini qytetarët, ta firmosin këtë peticion. Edhe deputetët e rinj janë pro tezave të ‘Zgjidhja’.

‘Zgjidhja’ është e ardhmja, rruga e suksesit për Shqipërinë, e mundësive për të gjithë. Partitë e vjetra janë rruga e shkatërrimit, e monopoleve dhe shkatërrimit të ekonomisë, hienat që mbushën shtetin me sekserë. ‘Zgjidhja’ është kult i lirisë.

Vendi ynë po përjeton një krizë të rëndë. Opozita ka dorëzuar mandatet e proteston në rrugë. Dolën në dritë fakte se zgjedhjet janë blerë. Në kuvend kanë hyrë deputetë pa parti. Qeveria e mohon krizën, thotë se zgjedhjet do mbahen në 30 qershor, e ndërkombëtarët formalisht mbështesin qeverinë. Ne paralajmëruan PD në 2017, të mos bënte pazar me Ramën, i bojkotuam ato zgjedhje. PD bëri marrëveshje okulte, për pushtet në tavolinë. PD nuk është e sinqertë, reformimi i zgjedhjeve nuk i intereson fare. Lufta e saj ka vetëm një motiv, pushtetin.

Politikanët tanë e mbajnë peng integrimin e Shqipërisë. Nëse zgjedhjet nuk do ishin kapur, emri i tyre do ishte harruar. Ka ndodhur për faktin se kanë bllokuar demokracinë, kanë kapur të gjitha pushtetet. Lidershipi i PD nuk ka vullnet për zgjedhjet. PS thotë do depolitizohet administrata por jo KQZ. Nuk pranojmë që votat t’i numërojnë dy parti, është konflikt interesi. Njerëzit mos zhgënjehen, është krizë ciklike e qëndrueshme. Të bëhet deputet nuk ka nevojë të kesh zotësi, mjafton të jesh servil i pushtetit të kryetarit, përndryshe karriera jote merr fund. Parlamenti nuk është i qytetarëve por i kryetarëve. Sistemi i ramës e Saliut është si të detyrosh popullin të zgjedhë mes gjarprit e krokodilit. Rrugë tjetër nuk ka.

Do apo s’do populli do durojë sundimin e njërit prej tyre, kush nuk duron ka vetëm një rrugë, të ikë në tokë të huaj. “ u shpreh Kokëdhima në fjalën e tij gjatë Kongresit të partisë ‘Zgjidhja”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb