TIRANË

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë sqaron arsyet e zgjatjes së kontratës koncensionare të kontrollit teknik të mjeteve me kompaninë zvicerane  ‘SGS  Automotive Albania”.Teksa kësaj kompanie i është zgjatur afati deri në 31 dhjetor të vitit 2020 ministria e infrastrukturës në njoftimin për shtyp thotë se ajo ka të drejtë të hap procedura për tenderime të reja gjatë kësaj periudhe duke lënë të nënkuptohet se ‘SGS  Automotive Albania” nuk do të ketë eksluzivitetin e këtij koncensioni.

“Në kontratën shtesë përcaktohet se përgjatë periudhës koncensionare Autoriteti Kontraktues, në kuadër të liberalizimit të tregut të shërbimit të kontrollit teknik të automjeteve, mund të kryejë procedurat për lidhjen e një kontratë/marrëveshjeje me subjekte të tjerë për ofrimin e shërbimit të kontrollit teknik të automjeteve, e cila do të nënshkruhet pasi të zgjidhet kontrata koncensionare”

Sipas ministrisë së infrastrukturës dhe energjisë kjo kontratë me subjektet fituese do të nënshkruhet pasi të zgjidhet kontrata me ‘SGS  Automotive Albania” duke i lënë afat një periudhë 3 mujore para nënshkrimit të marrëveshjes me to.

“Në këtë rast Autoriteti Kontraktues duhet të njoftojë koncensionarin 3 muaj para nënshkrimit të ndonjë marrëveshjeje me subjekte të tjerë për ofrimin e shërbimit të kontrollit teknik. Me përfundimin e afatit 3 mujor të njoftimit, kjo kontratë koncensionare konsiderohet e zgjidhur dhe koncensionari heq dorë nga çdo pretendim për këtë zgjidhje të kontratës”

Kolaudimi i automjeteve u dha me koncesion në vitin 2009 nga qeveria e atëhershme e partisë demokratike tek kompania zvicerane ‘SGS  Automotive Albania” për një afat 10 vjeçar. Sipas kontratës, marrëveshja e koncesionit duhet të përfundonte këtë të martë, pra në datën 3 shtator të vitit 2019 dhe shërbimi i kontrollit teknik të automjeteve duhej t’i rikthehej shtetit, së bashku me të gjitha asetet dhe investimet e kryera nga kompania private. Por ministria e Infrastrukturës zgjodhi të mos veprojë për ta rikthyer kolaudimin në shtet duke vendosur ta zgjasë afatin e koncesionit deri në dhjetor të vitit të ardhshëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: