LETONI

Në bazën ushtarake “Camp Adazi”  kolegët e nëntetares Zarife  Hasanaj, që humbi jetën një ditë më parë gjatë stërvitjes , nuk i kanë mbajtur dot lotët gjatë ceremonisë së zhvilluar në nder të saj.

Ishte e vështire t’i jepnin lamtumirën mes dhimbjes, lotëve, nderimit dhe krenarisë vajzës qe ndërpreu jetën ne mes në një vend larg Atdheut të saj, 32 vjecares që vdiq duke treguar dashurinë për paqen dhe lirinë.

Ministrja e Mbrojtjes Xhaçka ka ndërprerë vizitën zyrtare që ishte duke zhvilluar në Itali dhe ka shkuar  në Rigë për të vizituar dy efektivet e plagosur e më pas do të shkojë në bazën Adazi për të takuar togën tonë të dislokuar atje, ku jeta e Zarifesë u ndërpre në mes nga shpërthimi i papritur i një objekti plasës i paidentifikuar deri ne këto momente.

“News24” e “BalkanWeb” pyeti drejtorin e Medias së NATO-s zotin Piers Cazalet e më pas komunikoi përmes emaileve me Ministrinë e Mbrojtjes letoneze për të hedhur më shumë dritë mbi atë që ndodhi mëngjesin e se hënës në bazën ushtarake Adazi.

Në përgjigjen e saj majore Sandra Bral, pjesë e departamentit të bashkëpunimit civilo ushtarak në Ministrinë e Mbrojtjes letoneze thotë se ekipi shqiptar po trajnohej në bazë, kur një objekt plasi dhe mori jetën në vend të nëntetares sonë. Gjithashtu bëhet e ditur se gjendja shëndetësore e majorit Tanushi është e rëndë.

“Gjatë trajnimit në bazën Adazi, ekipi shqiptar po pastronte zonën e përcaktuar kur një objekt i pashpërthyer plasi, duke shkaktuar vdekjen e një ushtari dhe plagosi dy të tjerë. Të dy ushtarët e plagosur u dërguan në Spitalin e Universitetit të Rigës Lindore. Pasi mori ndihmën mjekësore, rreshteri Kapaj la spitalin, pasi plagët ishin sipërfaqësore. Gjendja e ushtarakut tjetër, major Tanushit  është e rëndë dhe mjekët letonezë po luftojnë për jetën e tij dhe po bëjnë të pamundurën për ta shpëtuar”.- u shpreh Major Sandra Brāl,  Specialiste BCU në Ministrinë e Mbrojtjes së Letonisë.

Ministria e Mbrojtjes Letoneze thotë se po e trajton  çështjen me prioritet. Një grup hetimor me policinë ushtarake,dhe të shtetit si dhe një togë për eleminimin e materialeve të rrezikshme shpërthyese po hetojnë për të zbuluar se cfarë ndodhi mëngjesin e djeshëm në bazë drejt Rigës, për këtë qëllim është nisur edhe task forca shqiptare e ngritur nga Ministria e Mbrojtjes.

“Ne po e trajtojmë këtë incident me shumë seriozitet dhe çështja duhet të investigohet në mënyrë që të marrim hapa të mëtejshëm dhe të parandalojmë incidente të tillë në të ardhmen. Shefi i Shtabit i Forcave të Armatosura letoneze, gjeneral lejtnant Leonidis Kalninis ka pezulluar trajnimin ndërsa toga letoneze për eleminimin e materialeve të rrezikshme shperthyese po ekzaminon zonën e ngjarjes. Policia ushtarake e Letonise ka nisur dhe po heton rastin duke perfshire edhe ekspertë te policise se Letonise. Për do të ishte një spekulim të përmendim origjinën dhe tipin ekzakt.” -tha Major Sandra Brāl, Specialiste BCU  në ministrinë e mbrojtjes së Letonisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb