TIRANË

Kolegji Zgjedhor ka rrezuar kërkesën e Idajet Beqirit, kreut të Partisë Uniteti Kombëtar i cili kërkoi shfuqizimin e vendimit të KQZ, i cili rrëzoi kërkesën e tij për çregjistrim nga zgjedhjet e 30 qershorit.


Në seancën gjyqësore, para trupës gjykuese që përbëhet nga Tomor Skreli, Ridvan Hado, Lindita Sinanaj, Artur Malaj dhe Shkëlqim Mustafa, Beqiri tha se nuk e pranon 30 qershorin në kushtet e krizës politike duke kërkuar çregjistrimin.


“S’kam qenë dakord me datën 30 qershor duke pasur parasysh krizat politike që ndodhin në Shqipëri. Megjithatë ne nisem punën tonë dhe angazhuam strukturat për zgjedhjet. U njohëm me dekretin e presidentit që zhdekretoi zgjedhjet për të cilin s’na pyetën. Megjithatë u krijua një situatë që s’na përfaqëson ne si Parti e Unitetit Kombëtar. Pamë që uniteti u cenua rëndë nga institucionet më të larta. Per shkak të botimit të dekretit në fletoren zyrtare, ne kërkojmë të mos hyjmë në zgjedhje. KQZ e shqyrtoi kërkesën tone dhe u mor me shkakun pse e kërkuam çregjistrimin. Shkaku i vetëm pse ne ngritëm këtë padi është dekreti i presidentit, ai anuloi zgjedhjet. A është i vlefshëm apo i pavlefshëm edhe po të ishte Gjykata Kushtetuese nuk do i drejtoheshim asaj. Sepse Gjykata Kushtetuese e ka dhënë verdiktin e saj. Duke qenë në këto kushte ne nuk kishim zgjidhje tjetër. Për këtë arsye erdhëm përpara jush. Kolegji duhet ta zgjidhë këtë ngërç të krijuar. Vendimi i KQZ që s’na çregjistroi është i pavlefshëm”, deklaroi Beqiri.


Nga ana tjetër përfaqësuesi i KQZ tha se ky institucion i qëndron vendimit që ka dhënë për PUK.
“Dekreti është në shkelje të Kushtetutës. Dekreti është akt administrativ i pavlefshëm”, ka thënë përfaqësuesi i KQZ.

Më pas gjyqtari Artur Malaj ka pyetur përfaqësuesin e KQZ dhe Beqirin se çfarë natyre ka dekreti sipas tyre. Të dy kanë dhënë të njëjtën përgjigje, që “dekreti i presidentit është akt administrativ individual”.

Gjyqtari Malaj ka pyetur juristin e KQZ nëse ka tjetër institucion që ka kompetencë të nxjerrë dekret për anulimin e zgjedhjeve, ndërsa juristi ka deklaruar se nuk e ka askush të shprehur në ligj.
Po kështu gjyqtari ka pyetur nëse ka institucion tjetër kompetencë për ndryshimin e datës së zgjedhjeve, juristi tha se në 2017 është shtyrë data e zgjedhjeve me dekret të presidentit.

Nëse pesë gjyqtarët do të pranojnë kërkesën e Beqirit, duke urdhëruar KQZ ta çregjistrojë Partinë Uniteti Kombëtar nga zgjedhjet, atëherë pranohet ligjshmëria e dekretit të Presidentit dhe 30 qershori rrëzohet.

Në të kundërt, situata do të vijojë të mbetet e njëjtë e socialistët do të tentojnë të zhvillojnë zgjedhje, sikurse kanë këmbëngulur prej mëngjesit të 10 qershorit, kur Ilir Meta, shfuqizoi datën e dekretuar më herët prej tij.

Pavarësisht se dekreti i Presidentit për anulimin e datës së zgjedhjeve është botuar në fletoren zyrtare, socialistët e konsiderojnë atë të pavlefshëm e për rrjedhojë nuk e zbatojnë.

(BalkanWeb)