Valdete Malaj, mjeke gastrohepatologe

Koliti ulceroz është një sëmundje që shkakton inflamacion dhe plagë të quajtura ulcera, në mukozën e rektumit dhe zorrës.

Shenjat dhe simptomat mund të përfshijnë:

Diarre, shpesh me gjak
Dhimbje barku
Dhimbje rektale
Humbje peshe
Lodhje
Ethe
Shumica e njerëzve me kolit ulcerative kanë simptoma të lehta deri të moderuara.

Shkaku i saktë i kolit ulceroz mbetet i panjohur. Më parë, dyshohej të ishin dieta dhe stresi, por tani mjekët e dinë se këta faktorë mund të përkeqësojnë por nuk shkaktojnë kolit ulcerativ.

Një shkak i mundshëm është mosfunksionimi i sistemit imunitar.

Trashëgimia duket gjithashtu të luajë një rol në kolitin ulceroz. Koliti ulceroz është më i zakonshëm tek njerëzit që kanë anëtarë të familjes me këtë sëmundje.

Faktorët e rrezikut

Koliti ulceroz prek rreth të njëjtin numër të grave dhe burrave. Faktorët e rrezikut mund të përfshijnë:

Mosha. Koliti ulceroz zakonisht fillon para moshës 30 vjeçare.

Historia familjare. Ju jeni në rrezik më të lartë nëse keni një të afërm, si: prind, vëlla ose fëmijë.

Ndërlikimet që sjell moskurimi i kolitit ulceroz

Nëse nuk mjekohen, njerëzit me kolit ulceroz mund të zhvillojnë një sërë komplikacionesh kronike e ndonjëherë të rrezikshme.

Fatmirësisht, shumë prej këtyre komplikacioneve mund të trajtohen me sukses.

Ndërlikimet:

Hemorragji
Çarje të zorrës së trashë
Ngushtim të zorrës së trashë
Kancer të zorrës së trashë
Probleme me ushqyerjen
Dhimbje kyçesh dhe artrit
Infeksione të syrit
Ulcera të gojës
Dëmtim të mëlçisë
Dëshpërim dhe ankth
Osteoporozë
Ushqimet që duhet të shmangni nëse vuani nga koliti ulceroz

Koliti ulceroz është një sëmundje që shkakton inflamacion dhe plagë të quajtura ulcera, në mukozën e rektumit dhe zorrës. Ai mund të shkaktojë dhimbje, fryrje të barkut, diarre, probleme me oreksin etj.

Shpeshherë diagnostikimi i kësaj sëmundje shfaqet i vështirë për shkak të ngatërrimit të simptomave me sëmundje të tjera që janë të ngjashme.

Ushqime të caktuara ose zakonet e të ngrënit nuk shkaktojnë kolit ulceroz, por ata mund ta përkeqësojnë sëmundjen. Këto janë disa nga ushqimet që mund të përkeqësojnë simptomat e kolitit ulceroz, shkruan Shendeti.

Fasulet- Thjerrëzat dhe fasulet janë të pasura me fibra dhe mund të shkaktojnë gazra, prandaj nuk janë ushqimi ideal për ata që vuajnë nga koliti ulceroz.

Kafja dhe çaji- Kafja, çaji dhe pije të tjera me kafeinë mund të pengojnë në shërimin e pacientëve me kolit ulceroz.

Produktet e qumështit – Mund të jeni intolerant ndaj laktozës, pra trupi nuk tret sheqerin e qumështit. Megjithatë kjo nuk do të thotë se vuani nga koliti ulceroz.

Brokoli – Perimet si brokoli, lulelakra selinoja, janë të pasura me fibra dhe nuk treten lehtësisht, prandaj mund të shkaktojnë gazra, fryrje dhe dhimbje të barkut.

Misri dhe kërpudhat – Edhe misri apo kërpudhat janë të vështira për t’u tretur dhe mund të shkaktojnë irritim të zorrëve dhe diarre tek ata që vuajnë nga koliti ulceroz.

Të gjitha llojet e erëzave – Mund t’i përdorni pak në gatimet tuaja po asnjëherë mos i bëni ushqimet shumë djegëse nëse vuani nga koliti ulceroz.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb