Temperaturat e paqëndrueshme të dy javëve të fundit kanë shtuar së tepërmi virozat në Berat. Raste të shumta pacientësh, të prekur nga virozat, paraqiten çdo ditë pranë Qendrave Shëndetësore të qytetit e rrethinave, për të kërkuar ndihmë mjekësore. Rastet kanë ardhur në rritje dhe të prekur nga virozat janë të gjitha grupmoshat, që nga fëmijët e deri tek moshat e treta. Mjeku i Qendrës Shëndetësore Uznovë në Berat, Brahim Aliaj ka pohuar se gjatë dy javëve të fundit, ka pasur problematika të shumta me virozat, që kanë prekur të rinjtë dhe të moshuarit. Simptomat që shfaqin të prekurit nga virozat-ka thënë Aliaj-janë: kolla, dhimbje fyti, dhimbje koke, marrje mendsh dhe temperaturë, ndërkohë që tek fëmijët janë shfaqur edhe çrregullime gastrointensinale, diarre, të vjella.

Sipas mjekut Aliaj, këto viroza vijojnë me çregullime për rreth pesë ditë me radhë dhe pas kësaj trupi fillon të normalizohet gradualisht. Mjeku konfirmon se virozat kanë ardhur si rezultat i ndryshimeve të motit, klimës së paqëndrueshme dhe jo të zakonshme për periudhën në të cilën ndodhemi.

“Gjatë 5 ditëve të para të virozave, ne i kemi trajtuar pacientët me mjekim ambulator dhe në rastet që kanë vazhduar më gjatë i kemi trajtuar me injeksione dhe serume në Spitalin Rajonal të Beratit. Virozat janë shfaqur me komplikacione edhe tek sëmurët me probleme kardio-vaskulare, duke shfaqur tek këta pacientë rehidrimin (humbjen e kaliumit, klorit, magneziumit, kalçiumit), që shkakton çrregullime në zemër”, ka thënë mjeku Aliaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: