Pas Alberto Costa-s, Randal Kolo Muani është goditja e dytë e “Zonjës së Vjetër” në këtë merkato dimri, me sulmuesin francez që kaloi me sukses testet mjekësore dhe do të jetë në dispozicion të Thiago Motta-s duke nisur nga super sfida me Milan. Kolo Muani vjen në Torino në formë huazimi, një huazim i thatë deri në fund të këtij sezoni, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të qëndrojë më gjatë, pasi palët mund të përfshihen në negociata për të blerë përfundimisht kartonin e tij, gjithnjë nëse Kolo Muani bind këtë periudhë.
Në Torino, Kolo Muani do të diskutojë me Vlahovic vendin e titullarit në majën e sulmit, por mediat e lexojnë ndryshe këtë afrim të francezit. Me Vlahovic jo në formë maksimale prej një kohë të gjatë, dhe me lojtarin që vijon të refuzojë rinovimin e kontratës, duke e pashmangshme largimi i tij nga Torino, mbetet për t’u parë gjatë janarit, apo në fund të këtij sezoni. Për Vlahovic vijon të ketë një interesim konstant nga ekipet e Premier League, mbi të gjitha Arsenal, një sulmues që vlerësohet shumë nga Arteta, trajneri i “topçinjve”. Në këto ditë, Giuntoli, Drejtori Sportiv i Juves, duhet të kujdeset për dy çështjet e fundit, shitjen e Vlahovic dhe gjetja e një qendërmbrojtësi të ri. Pista Araujo po zbehet gjithnjë e më shumë, me lojtarin që pritet të vijojë karrierën te Barcelona, në këto kushte dy mbeten alternativat kryesore, Hancko i Feyenoord dhe Tomori i Milan.