Në përfundim të tryezës për lirinë e medias organizuar nga PD, kryedemokrati Basha i është përgjigjur interesit të medias në lidhje me kërkesën e Presidentit Meta për DSIK.

“Kemi nisur punën për të hetuar në të gjitha format.”- u shpreh Basha, ndërsa shtoi se PD do të kërkojë hetim për kryeministrin Edi Rama, ministrin e jashtëm Ditmir Bushati, zv/ministrin Gent Cakaj si edhe institucione të tjera përgjegjës.

Pyetje: Presidenti Meta ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor ndaj DSIK-së për rastin Caka, ju do i bashkoni votat me LSI-në për ngritjen e e këtij komisioni?

Basha: Nuk jam në dijeni të kerkesës së presidentit, por që prej publikimit dje të dekretit të Presidentit, ashtu siç bëra publike dhe në emisionin Opinion mbrëmë, kemi nisur punën për të hetuar në të gjitha format e mënyrat duke përfshirë dhe hetimin parlamentar, përgjegjësitë e DSIK-së, zv.ministrit Caka, ministrit Bushati, kryeministrit Rama dhe Shërbimit informativ të shtetit në dhunimin e ligjit për informacionin e klasifikuar sekret në Republikën e Shqipërisë dhe pasojat që kjo ka për sigurinë kombëtare dhe sigurinë e NATO-s

Pyetje: Pra do kërkoni ju një komision hetimor Zoti Basha?

Basha: Këtë që sapo ju thashë. Besoj isha i qartë?

Ndërkohë një ditë më parë, i ftuar në emisionin ‘Opinion’ kryedemokrati paralajmëroi hetim për kryeministrin Rama dhe DSIK-në, për cënim të ligjit dhe sigurisë kombëtare dhe NATO-s.

“Dhe pikërisht në këtë kohë, një nga hallkat, natyrisht jo më të forta të Aleancës, një vend i cili ështëpërfolur për problematikë në mbrojtjen e sekretit shtetëror, propozon për ministër të jashtëm, ministri më kryesor i NATO-s, sepse të mos harrojmë, NATO është një aleancë politico-ushtarake, jo ushtarako-politike, një person i cili ka neglizhuar për të paktën 6-7 muaj çertifikatën e sigurisë. Ka qenë ky person këto kohë më informacion të klasifikuar? Këto janë pyetje që duhet të jenë subjekt i një inspektimi zyrtar, shtetëror, nga institucionet përkatëse. Po ju them një gjë fare qartë: Këtu kemi të bëjmë me një shkelje flagrante të ligjit, si dhe të sigurisë kombëtare dhe të sigurisë së NATO-s.” tha Basha.

Me një letër drejtuar kryeparlamentarit Ruci si edhe krerë të grupeve parlamentar, Presidenti Meta kërkoi sot ngritjen një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar punën e DSIK e cila sipas kreut të shtetit, ka pajisur me certifikatë sigurie brenda 24 orëve, zv/ministrin e jashtëm Gent Cakaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb