Mbrojtësi i Kombëtares, Marash Kumbulla vlerësoi Çekinë dhe Gjeorgjinë, në prag të ndeshjeve të Nations League.

Qendërmbrojtësi kuqezi komentoi edhe formën e mirë që po kalon me ekipin e Espanyol si dhe konkurrencën e madhe në repartin e prapavijës në Kombëtare.

Periudha e dëmtimit, sa e vështirë ishte? – Ajo periudhë ishte shumë e keqe për mua. Një vit e gjysmë dhe pas dëmtimit muajt në vazhdim nuk ishin shumë të thjeshta. Tani besoj se zhvillova një fazë përgatitore shumë të mirë, kalova te Espanyol dhe tani po i luaj të gjitha ndeshjet. Fizikisht ndihem shumë mirë dhe jam shumë i lumtur për këtë moment.

Po kaloni një formë shumë të mirë së bashku me Ismajlin, sa garanci jep kjo dyshe në ndeshjet e radhës në mbrojtje? – Jep garanci, por nuk është vetëm punë e imja dhe e Ismajlit, por e të gjithë ekipit. Kemi shumë konkurrencë, jemi shumë të mirë si mbrojtës, jo vetëm në qendër, por edhe në krah. Vendos trajneri dhe kush luan do të bëjë mirë.

Me sa pikë mendoni se Kombëtarja është e kënaqur në këto dy ndeshje? – Ne do futemi në fushë si gjithmonë për të fituar të dy ndeshjet. Tani mendojmë vetëm për Çekinë, është një ekip shumë fizik dhe i fortë në duele, tani mendojmë vetëm për ata dhe të shohim më pas për Gjeorgjinë.

Pas golit me Espanyol, presim një gol me ngjyrat kuqezi? – Po e pres edhe unë, pasi janë shumë ndeshje pa bërë gol në Kombëtare. Kam shumë dëshirë që të shënojë.

Ka ngacmime me nota humori mes teje, Ismajlit dhe Ajetit?  – Nuk ka ngacmime, Kombëtarja është e para. Nëse ekipi, fiton të tjerat vijnë mbrapa. Është normal që të gjithë lojtarët duan të luajnë, por e dimë që në Kombëtare ka shumë konkurrencë. Janë të gjithë shumë lojtarë të mirë, të shohim zgjidhjet e trajnerit.

Dallimi mes kampionatit spanjoll dhe italian? – Kampionati në Spanjë është ndryshe nga Italia. Është më shumë taktik, loja është e hapur me kundërsulme dhe duele. Jam përshtatur shumë mirë në këtë kampionat.

Nuk keni qenë në dy ndeshjet me Çekinë në kualifikueset e Europianit, tani jeni më i motivuar për fitoren? – Po sigurisht. Të dy ndeshjet i kam parë nga shtëpia. Sic e thashë edhe më para, me Çekinë do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, ne jemi shumë të motivuar, edhe ekipi kundërshtar gjithashtu. Presim një ndeshje shumë të vështirë.

(J.S/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb