Shpërblimi prej 2 milionë eurosh që FSHF-­ja vendosi për skuadrën pas kualifikimit në Euro 2016 ka qenë dje temë diskutimi në mbledhjen e paradites mes ekipit dhe zyrtarëve të FSHF-­së. I pranishëm ka qenë edhe Presidenti i Federatës, Armand Duka.

STËRVITJA

Ekipi kombëtar ka anuluar seancën stërvitore të paradites së djeshme, për shkak se ka zgjatur përtej parashikimeve mbledhja mes skuadrës, De Biazit dhe Presidentit Duka. Mësohet se gjithçka ka qenë gati dhe seanca duhej të kishte nisur në orën 10:30, por lojtarët dhe De Biazi nuk mundën të paraqiteshin në fushë.

Fillimisht u fol për një mbledhje me tone të ashpra dhe për lojtarë të pakënaqur, por kapiteni Lorik Cana ka shpjeguar për “Panorama Sport” se ka qenë një çështje tërësisht proceduriale. Mbrojtësi kuqezi ka deklaruar se pjesë e premios do të bëhet edhe qeveria shqiptare, pasi, sipas tij, ka qenë vetë Kryeministri Rama ai që ka ofruar mbështetje edhe për sa i përket shpërblimit.

“Është e vërtetë që është zhvilluar një mbledhje me drejtuesit më të lartë të FSHF-­së, por është çështje e brendshme e ekipit dhe nuk mendoj se ia vlen të diskutohet publikisht kjo gjë. Është diskutuar thjesht për detaje proceduriale. Skuadra nuk ka mundë­ si të mblidhet më gjatë këtij viti. Gjatë mbrëmjes gala, së bashku me drejtues të FSHF­-së dhe me Kryeministrin Rama u zhvillua një bisedë rreth kësaj teme dhe ai shprehu dëshirën e gatishmërinë që qeveria të kontribuonte për shumën totale të vendosur. Po jua them qartazi se ajo shumë (2 milionë euro) është caktuar që në avion menjëherë pas ndeshjes në Armeni dhe nuk e ndryshon asgjë”, ka deklaruar Cana.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: