*Kombëtarja e Serbisë niset drejt Tiranës
*Delegacioni i Federatës Serbe të Futbollit do të mbërrijë sonte në mbrëmje në Tiranë
* Policia në në shërbim të përforcuar, ja rrugët që bllokohen

TIRANE- “Nuk po shkojmë në luftë, por mund të ketë provokime”. Kështu u shprehën futbollistët e Serbisë, pak orë përpara ndeshjes kundër Shqipërisë.

Ndërkohë që lajmet që vijnë nga Tirana flasin për pistoleta, krisma, falsifikime, kombëtarja serbe duket e qetë, edhe pse nuk ka asnjë shans për kualifikim në Europian.

Aq e qetë duket situata aty ku ndodhej ekipi serb sa ylli i saj, Aleksandër Kolarov ka gjetur kohë të flirtojë në hotelin ku u grumbullua kombëtarja serbe. Sipas ‘Blic’, ai po flirton me Liljanën, recepsionisten seksi.

kombetarja

Por Kombëtaren e Serbisë do ta shikojmë vetëm të enjten në fushën e blertë të stadiumit “Elbasan Arena”.

Delegacioni i Federatës Serbe të Futbollit është nisur nga Beogradi rreth orës 16:45 dhe mbërriti në aeroportin “Nënë Tereza” të Tiranës rreth orës 17:49, aty ku forca të shumta policie i prisnin në kuadër të ruajtjes së sigurisë. Mësohet se ata u priten në aeroport edhe nga Ambasadori i Serbisë në vendin tonë, Miroljub Zaric.

Një autobus i vënë në dispozion të kombëtares serbe i mori atë direkt nga avioni dhe u larguan nga dalja VIP, duke evituar kështu mundësinë e çdo kontakti me persona të ndryshëm.

Udhëtimi nga Rinasi deri në hotel “Sharaton” në Tiranë u shoqërua edhe nga forca të shumta policie, ndërsa në segmente të caktuara u bllokua edhe trafiku në kryeqytet. Kombëtarja serbe shoqërohej edhe nga nje grup i madh gazetarësh serbë.

Sipas mediave serbe, gjatë rrugës nga Rinasi për në hotel, autobusi i ekipit serb është qëlluar me gurë. Sipas asaj që raportohet në mediat serbe, autobusit i janë thyer disa xhama, por nga sulmi nuk ka patur asnjë të lënduar.

Por Policia e Tiranës në reagimin e saj tha se mund të jetë gjuajtur me gurë nga një distancë e vogël dhe kjo duket edhe nga gërvishtja e lehtë nga krahu i drejtuesit të autobusit.

Bëhet me dije, se futbollistët serbë do të qëndrojnë të izoluar nën masa të rrepta sigurie në hotel “Sharaton”, ku edhe u akomoduan. Madje mësohet se kombëtarja e Serbisë nuk do të zhvillojë asnjë seancë stërvitore në tokën shqiptare. As në stadiumin “Qemal Stafa” që ka pranë hotelit, por skuadra e Çurçiçit, do të shmangë edhe njohjen me terrenin e “Elbasan Arenës”, raporton Sport News.

Në orën 19:30, kombëtarja e Serbisë organizoi edhe një konferencë për shtyp, jo te “Sheratoni”, por në hotel “Rogner”, nga ku nuk nguruan të deklarojnë se në Tiranë kishin ardhur për të luajtur futboll dhe për të fituar.

Të enjten, sipas rregullores së UEFA-s, dy orë para fillimit të ndeshjes, ata do të jenë direkt në stadiumin “Elbasan Arena”, natyrisht të shoqëruara nga eskorta të sigurisë dhe policisë shqiptare.

PRESIDENTI I FEDERATËS SERBE: NDESHJA NË PIKËPYETJE NËSE KA INCIDENTE TË TJERA
Pasi një pjesë e skuadrës serbe deklaroi se ishin qëlluar me gurë gjatë rrugës për në Tiranë, vjen edhe reagimi i Presidentit të Federeatës Serbe të Futbollit, Tomislav Karaxhiç.

Mediat serbe shkruajnë se Karaxhiç i ka kërkuar policisë shqiptare të garantojë që të mos ketë tjetër incident, pasi ato do vinin në pikëpyetje ndeshjen.

“Kurir” shkruan se Karaxhiç ka qenë mjaft i nxehur me të ashtuquajturin ‘sulm me gurë’ të autobusit me të cilin udhëtonin lojtarët e Serbisë.

Sipas gazetës serbe, Karaxhiç u ka thënë drejtuesve të Policisë Shqiptare se ka kontaktuar me kryeministrin Vuçiç dhe e ka mbajtur në korrent me ngjarjet më të fundit. Ndërkohë Policia shqiptare ka nisur hetimet për këtë çështje.

POLICIA: DYSHOHET SE AUTOBUSI I SKUADRES SERBE ËSHTË GODITUR NGA LARG ME GURË
Policia e Tiranës doli me një deklaratë publike menjëherë pasi trajneri serb dhe zv/Presidenti i Federatës deklaruan se autobusi i tyre është qëlluar me gurë.

Policia e Tiranës përjashton mundësinë e ndonjë problemi dhe vë në pah një të gërvishtur në pjesën e pasme të autobusit, e cila sipas tyre mund të jetë shkaktuar nga e gjuajtura me gurë në distancë të largët.

“Policia e Tiranës bën me dije se që nga momenti i zbritjes së lojtarëve në aeroportin e Rinasit deri në mbërritjen e delegacionit në hotelin ku janë akomoduar nuk është konstatuar asnjë problem. Në momentin e mbërritjes përpara hotelit është vënë re se nga krahu i drejtuesit të autobusit kishte një plasaritje, e cila dyshohet se mund të jetë gjuajtur në një distancë të largët me gurë. Policia po punon për verifikimin e të gjitha rrethanave dhe zbuluar autorësinë dhe vendosjen përpara përgjegjësisë personin që ka kryer këtë veprim”,-thuhet në deklaratë.

MILOSEVIC: AUTOBUSI I SERBISE U GODIT ME GURE
Zv/Presidenti i Federatës serbe, Savo Milosevic, i cili theksoi se gjatë rrugës për në Tiranë, autobusi i Serbisë është goditur me gurë, por tha se autoritetet shqiptare reaguan menjëherë dhe situata u normalizua.

“Ndodhi një incident i vogël rrugës për në Tiranë. U qëllua me gurë autobusi, por nuk pati ndonjë problem. Reaguan autoritetet shqiptare dhe gjithçka është në rregull”, tha Milosevic.

TRAJNERI SERB: RRUGËS NA QËLLUAN ME GURËautobusi-653x420

Trajneri i kombëtares serbe konfirmoi lajmet e përhapura në mediat e Serbisë, për një incident të ndodhur me autobusin e kombëtares serbe gjatë rrugës nga Rinasi për në hotel. Trajneri Radovan Curçiç tha se autobusi me futbollistë u qëllua me gurë, po fatmirësisht nuk pati dëmtime.

“Ndodhi një incident i vogël rrugës nga aeroporti, pati një sulm me gurë, nuk pati dëme, policia shqiptare reagoi shumë shpejt. Për momentin gjithçka është në qetësi.”- deklaroi trajneri Radovan Curçic, në një konferencë për mediat, nga hotel Rogner.

Trajneri Curçiç u shpreh se, “do mundohemi të mos mendojmë për gjë tjetër në fushë, por vetëm lojën. Sa i përket formacionit të përfaqësueses së Serbisë, trajneri serb tha se, “formacionin do ta shihni nesër në fushë”.

Trajneri serb ka ripërsëritur se përfaqësuesja serbe mendon vetëm për futboll dhe për asgjë tjetër në këtë ndeshje. Sa për motivimime lojtarëve, ai tha se, “ka qenë shumë e lehtë t’i motivosh futbollistët për këtë ndeshje”.

Ai deklaroi se skuadra e tij do të hyjë në fushë për fitore, megjithëse shtoi se Shqipëria ka një skaudër të konsoliduar. “Kombëtarja jonë është ende në formim, ndërsa Shqipëria ka një skuadër të konsoliduar. Shqipëria është një ekip fortë dhe jo më kot është në vendin aktual në grupin tonë”, tha ai.
Lidhur me një shkarkim të tij nëse humbet nesër trajneri Çurçiç në tha se, “Çdo trajner e di që një ditë do të largohet, por unë nuk mendoj se do të iki pas kësaj ndeshjeje”.

KAPITENI IVANOVIÇ: NUK PRES QË TIFOZËT TË NA DUARTROKASIN
Kapiteni i kombëtares serbe, Ivanoviç theksoi se futbollistët serbë nuk presin duartrokitje nga tifozët shqiptarë, ndërsa tha se ka pritshmëri të mira për performancën e lojtarëve gjatë ndeshjes në “Elbasan Arena”.

Në konferencën për mediat, kapiteni serb tha se kjo ndeshje i kalon caqet e futbollit, por futbollistët kanë ardhur vetëm për të luajtur futboll.

I pyetur për trajnerin e Shqipërisë, Gianni De Biasi, Ivanoviç  tha se, “trajneri i Kombëtares shiqptare është një Italian dhe mendoj se ai ka bërë një përgatitje psikologjike si dinë vetëm ata”.

Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve mbi impaktin e parë në Tiranë, Ivanoviç tha se, “E dimë që kjo ndeshje tejkalon sportin, por ne duam vetëm futbollin dhe do të përpiqemi me çdo mënyrë ta fitojmë këtë ndeshje”. Kapiteni serb shtoi se, ky rast është rasti më i mirë për të ndryshuar mentalitetin mes dy popujve në Ballkan.

JA MOMENTI KUR AUTOBUSI I KOMBËTARES SERBE U QËLLUA ME GURË NË TIRANË

Në prag të ndeshjes së shumëpritur Shqipëri-Serbi është shënuar edhe incidenti i parë.  Edhe pse nën masa të forta sigurie, gjatë rrugës nga aeroporti “Nënë Tereza” për në hotel “Sheraton” në Tiranë, autobusi i përfaqësueses së Serbisë është goditur me gurë.

Lajmi u bë i ditur nga përfaqësuesit e kombëtares serbe, gjatë konferencës për shtyp që zhvilluan pak minuta pasi u akomoduan në hotel.

Mediat në Serbi kanë publikuar një video të xhiruar nga brenda autobusit, ku duket momenti kur në drejtim të mjetit është qëlluar me gurë.

POLICIA RRUGORE: JA AKSET QË DO TË BLLOKOHEN SOT PËR SHKAK TË MBËRRITJES SË EKIPIT SERB
Policia Rrugore e Tiranës njofton drejtuesit e mjeteve se gjatë pasdites do të ketë bllokime të disa akseve në kryeqytet për shkak të ardhjes së kombëtares serbe. Nga ora 16 e 45 deri në orën 19:00 do të bllokohen segmentet Rinas-Qafe Kashar, pjesa autostradës Tiranë-Durrës (hyrje – dalje) edhe rruga dytësore.

Bllokimi do të vazhdojë në të gjitha segmentet të cilat lidhen me Hotel “Sheratonin”. Garda dhe policia do të mbajnë nën kontroll rrugët ku do të kalojë autobusi “Kthesa e Kamzës”, “Zogu i Zi”, “Rruga e Durrësit”, sheshi “Skënderbej” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Policia rrugore kërkon mirëkuptimin e qytetarëve si dhe i falënderon për bashkëpunimin e treguar në të tilla raste.

Policia e Kryeqytetit, ka ndërmarrë një sërë masash për mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv Shqipëri-Serbi, i cili do të zhvillohet më datë 08.10.2015 në qytetin e Elbasanit. Për ruajtjen e rendit dhe sigurisë policia ka kaluar në shërbim të përforcuar. Të gjithë komisariatet në zonat që ata kanë në juridiksion, janë ngritur pika kontrolli dhe janë verifikuat të gjithë automjete për të cilat Policia ka pasur dyshime.

(d.b/m.k/ma.ar/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: