TIRANE – Studentët e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin “Luarasi” vizituan të paraburgosurit në burgun 313 në kryeqytet, për të parë e prekur nga afër realitetin në këtë institucion. Në kuadër të kombinimit të teorisë me praktikën, studentët biseduan me të paraburgosurit, dëgjuan shqetësimet e tyre madje dhanë këshilla profesionale për zgjidhjen e çështjeve. Përvoja e ofruar nga ky institucion elitar, synon përgatitjen e juristëve profesionistë në tregun e punës.

I pranishëm në këtë diskutim ishte edhe drejtori i burgut 313, Maksim Hamiti i cili iu uroi studentëve të Drejtësisë në Luarasi suksese në rrugëtimin e tyre si juristë të ardhshëm dhe i këshilloi të tregohen sa më objektivë e profesionistë në marrjen e vendimeve në sallat e gjyqit.

“I uroj suksese në punë tuaj shumë fisnike. Ju do të dini të mos niseni nga pasioni për vendimin që do të jepni, po të mateni dhe të jepni vendimin e duhur. Këta presin drejtësi” -tha Hamiti.

Rektori i Universitetit ‘Luarasi’, prof. dr. Ethem Ruka në fjalën e tij, tha se kjo eksperiencë do të shërbejë si një vlerë për studentët në ushtrimin e profesionit në të ardhmen.

“Për studentët tanë është një gjë shumë e rëndësishme sepse ne mundohemi që shkollën dhe ata që do bëhen juristët e së nesërmes duhet të njohin realisht realiteti. Ju vajza dhe djem që do bëheni juristë mbajeni mend këtë ditë këtu. Kjo duhet t’ ju lërë mbresa në ndërgjegjen tuaj në ushtrimin e profesionit tuaj kur të bëheni juristë, dhe ju do të keni të bëni me këto probleme që dëgjuat këtu. Dhe duhet të jeni të drejtë në marrjen e vendimeve duke zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin dhe kjo është një përvojë e mrekullueshme dhe shpresoj që ju ta ktheni atë në një vlerë kur të formoheni si juristë.” -tha Rektori Ruka.

Saimir Visha, pedagog i së Drejtës Penale në “Luarasi”, një nga avokatët më të njohur në vend, thekson se bashkëpunimi i universitetit me institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale do të vazhdojë.

“Si zakonisht studentët e Luarasit me atë moto që ne kemi që prekim dhe teorinë edhe praktikën duke i gërshetuar të dyja bashkë. U takuam me të paraburgosurit të cilët ne kemi një nga parimet bazë duke i prezumuar të pafajshëm, studentët bashkëbiseduan me të paraburgosurit është një ogur i mirë që ky bashkëpunim me institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të vazhdojëë. Luarasi aktualisht ka një marrëveshje me të gjitha institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, dhe këta studentë sot atë cfarë mësojnë në auditor vijnë e prektin dhe në burgjet shqiptare.” -u shpreh Visha

Studentët e drejtësisë në Luarasi ndihen tejet të kënaqur për mundësitë e shumta që ky universitet iu ofron çdo ditë e më shumë.

“Eksperienca e ditës së sotme ishte sa profesionale aq edhe emocionale. Falenderoj profesor Sajmir Vishën për mundësinë që na dha. Dhe një falënderim i vecantë për universitetin tonë Luarasi” tha një studente

“Ishte një eksperience shumë interesante.Ta kemi si bazë të asaj që duhet të bëjmë kur të mbarojmë shkollën e të dalim në jetë” tha një tjetër student i Luarasit.

Në fund të takimit, studentët e universitetit Luarasi dhuruan libra për të paraburgosurit në burgun 313. Aplikimi i praktikave të tilla, dëshmon edhe njëherë se Luarasi vazhdon të mbetet një ndër liderët e arsimit të lartë në vend me synim përgatitjen e profesionistëve të denjë në tregun e punës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb