ELBASAN
Komedia e Leka Bungos, “Ëndërr në Papafingo” ngjitet në skenën e teatrit ‘Skampa’ në Elbasan në datat 16,17 dhe 18 janar.
Shfaqja që vjen si bashkëpunim i Teatrit Bylis në Fier dhe Teatrit “Skampa” Elbasan, është vepra më e fundit e Leka Bungos. Pas premierës që pati në Fier në nëntor, ajo shfaqet para publikut në Elbasan, duke sjellë ironinë e sarkazmën e Bungos për një dukuri të njohur të para ‘90-ës.
Ngjarjet e saj vendosen në vitet 1970, në një vilë diku në Tiranë ku jeton familja e një prej heronjve të luftës. Sipas komedisë së Bungos, djali i heroit, është një zetorist në një kooperativë fshati që emërohet Drejtor në një nga Departamentet më të rëndësishme të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Para detyrës së re, ai bashkë me të shoqen dhe vajzën e tij, vendoset në një vilë që më parë ishte pronë e njërit prej bashkëpunëtorëve të pushtuesve. Komedia trajton një nga temat e mprehta shoqërore të kohës siç është ajo e ndërtimit të familjes “ re” socialiste.
Me pjesëmarrjen e 7 aktorëve, shfaqja vë përballë, dukuri shoqërore që përmbysin sistemin e vlerave dhe thyejnë normat, çështjen e pronave e probleme të tjera që bartim nga diktatura.