Një film i shkurtër komik që portretizon dy komandantë të UÇK teksa planifikojnë zaptimin e paligjshëm të ndërtesave dhe institucioneve pas luftës së vitit 1998-99, ndërsa çojnë drejt një vdekje të parakohshme një ushtar – ka shkaktuar po aq zemërim sa të qeshura në Kosovë, ku lufta e pavarësisë mbetet një subjekt delikat.

Organizatat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe disa politikanë kanë kritikuar filmin 12 minutësh, “Plani Strategjik” nga Stupcat, një grup i njohur komedie në vend.

Xhevahire Izmaku, një deputete nga Partia Demokratike e Kosovës në qeveri ishte mes të parëve që dënoi programin pasi u transmetua në KTV në mbrëmjen e Vitit të Ri.

“Duhet të kërkoni menjëherë falje ose t’i bashkoheni dëshmitarëve të mbrojtur [në gjykatë] sepse duket se keni fakte se këto komandantë vranë shokun e tyre të armëve,” shkroi Izmaku në profilin e saj në Facebook.

Kryetari i parlamentit, Kadri Veseli, gjithashtu kritikoi komedianët pas programit por pas disa kërcënimeve për vdekje lëshuar në median sociale, paralajmëroi se nuk duhen kërcënuar me jetë në asnjë mënyrë.

Në filmin e shkurtër, dy komandantët urdhërojnë ekzekutimin e një luftëtari idealist që është kundër planit të tyre, duke e akuzuar atë për bashkëpunim me ushtrinë serbe dhe duke e çuar më pas në një fushë të minuar ku gjeti vdekjen.

Disa politikanë kanë qenë më pak të ashëpr rreth filmit. Fisnik Ismaili, një deputet nga Partia opozitare Vetëvendosje, dënoi sulmet e ashpra rreth Stupcave duke thënë se kishin të drejtën demokratike të fjalës.

Satira qe e vështirë të pranohej, veçanërisht kur “ajo ka një dozë të së vërtetës, sepse e vërteta dhemb, të djeg”, tha Ismaili.

Ish-komandanti i UÇK në rajonin Llap, Rustem Mustafa tha se ndërsa ai kishte rezerva për programin, lavdia e UÇK nuk ishte në rrezik.

Në fakt, Mustafa theksoi se liria e fjalës në Kosovës erdhi falë luftës për pavarësi.

Disa sipërmarrje publike në Kosovë në fakt u përdorën ose u zaptuan nga ish-luftëtarë të UÇK që shpesh nuk paguajnë taksa dhe tarifa për përdorimin e pronës publike. “Mos prek – UÇK” është një shenjë e përhapur në vend.

Autoritetet shpesh kanë mbyllur një sy ndaj bareve dhe sipërmarrjeve të tjera tregtare të drejtuara në bazë jashtëligjore nga ish-komandantët dhe ish-luftëtarët.

Ndërkohë Stupcat vetë, përbërë nga Vedat Bajrami, Osman Azemi, Mensur Safqiu dhe Afrim Krasniqi,  kanë këmbëngulur se nuk vënë në pyetje trimërinë e luftës për liri.

“Por heronjtë nuk mund të vihen në të njëjtin nivel me hajdutët. Kjo shtëpi, ky shtet, duhet të ndërtohet mbi drejtësinë dhe të vërtetën,” theksuan ata. /Reporter.al/

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: