Ish- zonja e parë e SHBA-ve, Michelle Obama ka reaguar pas komenteve fyese të Presidentit të SHBA, Donald Trump për Distriktin e Baltimores, duke e cilësuar atë si “të neveritshëm dhe të infektuar nga minjët”.


Komenti i ish-zonjës së parë erdhi pasi liderët dhe qytetarët e Baltimores mbrojtën qytetin dhe përfaqësuesin demokrat Elijah Cummings.


Megjithëse, Michelle Obama nuk përmendi Trumpin, u shpreh se: “kur dikush është mizor dhe vepron dhunshëm, ju nuk duhet të uleni në nivelin e tij”.


Kujtojmë se në Distriktin e Baltimores gjendet një komunitet mjaft i madh hebrenjësh, rreth 32,000 dhe kongresmeni Cummings vazhdimisht ka përkrahur iniciativat e studentëve afro-amerikanë për të realizuar vizita të ndërsjella në Izrael.

Trumpi është përfshirë në një sërë përballjesh me kongresmenen Ilhan Omar, e cila nuk ka lindur në SHBA, por e ardhur nga Somalia në moshën 5 vjeçare. Trump iu drejtua kësaj të fundit me fjalët: “Ktheu nga ke ardhur dhe ndihmo vendin tënd të infektuar nga krimi”.

“Çfarë e bënë vendin tonë vërtet të madh është diversiteti i tij,” kishte shkruar Michelle Obama.

”Unë e kam parë këtë bukuri në shumë mënyra përgjatë viteve. Nëse kemi lindur këtu ose kemi kërkuar strehim këtu, ka vend për të gjithë. Duhet ta kujtojmë që Amerika nuk është e imja ose e juaja, Amerika është e jona”, vazhdoi ajo.