Kryeministri Edi Rama ka ndarë me miqtë dhe ndjekësit e tij virtualë në “Facebook” fjalimin e mbajtur dje në Parlament lidhur me buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm. Por kaq ka mjaftuar që komentuesit t’i kërkojnë vepra në vend të fjalëve e konkretisht hapjen e vende të reja të punës. Kërkesat e tyre nuk kanë rënë në vesh të shurdhët pasi kryeministri u ka kthyer përgjigje duke u sugjeruar të mos harxhojnë kohën kot në “Facebook” por të kalojnë nga zyrat e punës ku sipas tij janë shpallur 27 mijë vende pune.

Replikat në “Facebook”

KOMENTUESI 1: A ka fund kjo humbje kohe me këto të PD që u duket vetja si engjëj nga qielli
EDI RAMA: Nuk është humbje kohe të komunikosh me njerëzit, sepse njerëz si gjithë të tjerët jane edhe ata që votojnë këta që qeshin!

KOMENTUESI 2: Shpresojmë z.kryeminister ta mbash fjalimin që thua
EDI RAMA: Fjalimi që them nuk ka asgjë për të mbajtur, sepse të gjitha ato janë fakte e shifra reale

KOMENTUESI 3: Kur do hapesh vende pune kryeministër i dashur. Kjo ka rëndësi. Fabrika uzina të punojë populli i thjeshtë
EDI RAMA: Vende pune? 27 mijë vende të lira janë vetëm në zyrat e punës, po puna nuk vjen te shtëpia apo këtu në Facebook që të kalojë kohën me ty Migen!

KOMENTUESI 4: Nuk mundet t’i mohohet PD mandati i parë ku vërtet ka investuar në rrugë gjithë arsenalin e vet në atë kohë. Ky është një realitet dhe unë e kam ndjerë ndryshimin atëherë goxha sepse jetoja jashtë dhe ju e dini se si ishte Shqipëria mbas Nanos. Meqënëse jemi tek rrugët zoti Rama unë jam nga Kurveleshi dhe kisha një vërejtje për sa i përket rrugës aty. Është me rrezik dhe shumë problematike dhe pavarësisht problemeve flitet se do bëhet këtu e shumë vite por asgjë s’po bëhet po zvarritet e po zvarritet pa fund! Mundet të më thoni se a ka një projekt konkret për këtë?
EDI RAMA: Unë nuk mohoj asgjë, thjesht flas me fakte!

KOMENTUESI 5: Zoti kryeministër duhet të shikoni familjet në nevojë që po vdesin për bukën e gojës, jo vetëm për llafe të bukura

EDI RAMA: Ty të duken llafe të bukura, po të siguroj se nëse ka diçka të bukur në fjalet e mia ato janë faktet dhe shifrat reale dhe ju që flisni këtu për ata që po vdesin për bukë, nuk dini asgjë për Shqipërinë e për shumicën dërrmuese të njerëzve të këtij vendi, të cilët nuk qahen në Facebook se po vdesin për bukë po luftojnë me dinjitet edhe kur janë në vështirësi që ju këtu as i imagjinoni dot.

KOMENTUESI 6: Përshëndetje z.Kryeministër thjesht doja të sygjeroja të shikoje ose dëgjoje emisionet e mëngjesit që telefonojnë njerëz të ndryshëm që qajnë hallet për të parë sa vuajnë njerëzit nëpër zyrat e shtetit, të dëgjosh sa njerëzve u hiqet e drejta e kempit pse si do qefit drejtorit (se s’ka zarf) e plot halle të tjera. Jemi të ndërgjegjshëm që nuk bëhen të gjitha menjëherë por duhet një reformë e thellë në administratë. Ka nga ata që kujtojnë se e kanë zyrën e babait dhe mund të bëjnë ç’të duan me njerëzit. Të përshëndes.

EDI RAMA: Arben P. është tamam ashtu dhe s’e luan topi, mjafton të dish pak histori për shtetndërtimin jo shumë.

KOMENTUESI 7: Bashkëpuno e bashkëbisedo me Metën dhe për çështje me interes për masën e gjerë reforma të zbutet, jo kaq radikale, të bëhet historike e pranushme për çdo familje të papune, pa lekë, pamundësi për të paguar. Atëherë dil nga ky radikalitet, hyr në reformën historike, jepu çdo banori të papunë minmumin jetik të paguajë dhe të jetojë. Nxire vendin nga kjo krizë shtrënguese se ndryshe dhe pse të duan po të tradhëtojnë në zgjedhje. Ishalla jo. Unë pëlqej qëndresën tënde si zog trimosh. Zgalem në qeveri po Meta është gjigand ekonomik liberator. .

EDI RAMA: Mundësia për të paguar vjen me reforma jo me karamele Yllson! Po të ishin bërë këto reforma 20 vjet më parë do ishim duke bërë biseda të tjera sot, ndërsa po nuk u bënë sot, do jemi edhe më keq pas 20 vjetësh të tjera! Nuk shërohen sëmundjet me llafe të bukura e me frikë nga operacionet!

KOMENTUESI 8: Ti nuk komunikon me njerëzit! Ti bën propagandë nëpërmjet Facebook sepse flet vetëm në përgjithësi dhe nuk adreson çështje konkrete për të cilat njerëzit komunikojnë me ty!

EDI RAMA: Arben P. mbase nuk je ti i përqëndruar në faktet e shifrat reale dhe shumë konkrete që ty të duken gabimisht propagandë, por që janë komunikim të vërtetash të qeverisjes me publikun! Nëse ty s’të duket konkrete që afro 1 miliardë dollarë që deri dje i merrte shteti nga arka e familjeve të shtresës së mesme e të varfer, kryesisht për taksa e për shëndetësi, ku hyjnë edhe 100 milionë dollarë rroga e pensione të cilat rriten me buxhetin e vitit tjeter, ky nuk është më problemi im po problemi yt!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb