NGA AURORA KOROMANI, MIRSAD RAKAJ

 

TIRANË- “Largohem nga detyra. Polici që më arrestoi babanë në 1979-ën, sot më penalizon në detyrën time”. Ky ka qenë mesazhi i letrës që efektivi Anton Hasanpapaj, me detyrë shef i Seksionit të Përgjimit Ambiental pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër, i ka dërguar kreut të Policisë së Shtetit, Artan Didi. Në letrën që Hasanpapaj ka bërë publike, pretendon se mbi të po ushtrohet presion politik dhe psikologjik nga drejtues të policisë së Shkodrës dhe konkretisht nga nëndrejtori Qamil Lluka, i cili është edhe personi që efektivit i ka arrestuar babanë gjatë regjimit komunist për agjitacion e propagandë. Hasanpapaj thotë se në muajin maj të 2014-ës është ndëshkuar me masën disiplinore ‘ulje në gradë’ nga një ish-punonjës i Sigurimit të Shtetit, Arben Hyseni, sot i pezulluar nga Policia e Shtetit. Zyrtari i strukturave të Rendit sqaron se një nga masat disiplinore që ka marrë ka qenë edhe “gjoba deri në masën e 5 ditëve punë”, për shkak se nuk i ishte përgjigjur urdhrit për të dhënë informacione për kontratën dhe faturat e energjisë, ndërkohë që Hasanpapaj shton se ai ka jetuar gjithë kohën me qira në vende të ndryshme dhe se nuk ka detyrime të pashlyera. Por, për të sqaruar më shumë se çfarë ka ndodhur me të dhe arsyet se përse ai po sulmohet, ‘Gazeta Shqiptare” i ka marrë një intervistë efektivit.
Në letrën tuaj që i keni dërguar kreut të Policisë së Shtetit, thoni se ish-nëndrejtori i Policisë së Korçës, Arben Hyseni ka qenë ai që ka iniciuar masën e uljes në gradë për ju. Ju në letër e quani atë ish-sigurims; a keni fakte për këtë që thoni dhe si ka nisur e gjitha kjo histori?
Arben Hyseni ka qenë zëvendësdrejtor i Policisë së Korçës kur ka bërë relacion me shkrim për masën që më është dhënë, “ulje në gradë”. Gjithçka ka nisur në maj të vitit të kaluar, kur unë isha me punë në Korçë. Pa pritur vendimin e Komisionit të Disiplinës dhe pavarësisht ankimit tim, kjo masë është ekzekutuar dhe më vonë kam kaluar në dispozicion me gradën “komisar”. Masa ndaj meje është iniciuar nga një ish-sigurims shteti, Arben Hyseni, i cili tani është përjashtuar nga radhët e policisë. Për faktet që kërkoni, unë nuk kam të drejtë të futem në jetën e askujt, por ju, po të kërkoni, gjeni fakte plot. Por, dua të theksoj se gjithçka është politike, pasi masat ndikojnë në ecurinë time në karrierë.
Ju përmendni në letër një sërë masash që janë marrë ndaj jush; pse mendoni se ju sulmojnë?
Pasi më dhanë masën e uljes në gradë, më ndëshkuan me masën disiplinore “gjobë në masën e 5 ditëve pune”. Ky ndëshkim erdhi, pasi pretendohet se nuk i jam përgjigjur urdhrit për të dhënë informacion për energjinë elektrike dhe faturat që kam paguar. Unë kam sqaruar se nuk disponoj asnjë kontratë të drejtpërdrejtë me OSHEE-në, për shkak se prej 12 vitesh, për shkak të punës sime, kam qenë i detyruar që të lëviz vazhdimisht. Por, unë kam vënë në dispozicion të Drejtorisë së Policisë së Qarkut librezën e energjisë së pronarit të banesës që unë kam aktualisht në Shkodër. Vërejtja tjetër më erdhi sapo u transferova në Policinë e Shkodrës, ku më dhanë “vërejtje”, për shkak se nuk isha në zyrë në orën 08:00, edhe pse ndodhesha në ambientet e drejtorisë.
Ju përmendni në letër se një nga personat me të cilin keni një konflikt është edhe nëndrejtori i Policisë së Shkodrës, Qamil Lluka. Mendoni se fshihet ai pas masave që ju kanë dhënë?
Dy kontrollet e fundit ndaj meje i ka bërë vetë Qamil Lluka, i cili mendon se është ngjallur Enveri dhe është koha e tij dhe unë jam sërish armik i partisë dhe i popullit. Për këtë çështje jam ankuar te drejtori i qarkut, drejtori i përgjithshëm, Komisioni i Disiplinës dhe nuk kam gjetur zgjidhje. Konflikti mes meje dhe Qamil Llukës ka nisur që në 1979-ën, pasi ka qenë një nga punonjësit që më arrestoi babanë për agjitacion dhe propagandë. Unë ndaj tij nuk kam marrë asnjë veprim, ndërsa veprimet e tij janë kthyer në një shqetësim për mua dhe familjen time. I jam drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të më japë zgjidhje, duke i kujtuar se vetëm vetëvrasja më ka mbetur, por nuk kam marrë asnjë përgjigje. Kisha vetëm dy zgjidhje: të hakmerresha ose të largohesha, dhe unë vendosa të largohem nga Shqipëria bashkë me familjen time, pasi kam frikë për jetën time dhe atë të fëmijëve të mi. Presioni psikologjik ndaj meje nuk më la zgjidhje tjetër vetëm që t’i kërkoj Drejtorit të Policisë së Shtetit që të largohem nga policia.

 

Kush është Anton Hasanpapaj*
Anton Hasanpapaj ka lindur në qytetin e Tropojës dhe ka jetuar me familjen disa vite në internim në qytetin e Lushnjës. Ai ka punuar në qytete të ndryshme si efektiv i policisë, ndërsa kohët e fundit mbante postin si Shef i Seksionit të Përgjimit të Ambientit në Policinë e Shkodrës.

 

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: