TIRANE– Rreth 3 muaj para se të vritej, rezulton se apeli administrativ ka vendosur që Artan Cuku të dëmshpërblehej me 12 paga nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për largim të paligjshëm nga puna.

Vendimi është marrë datë 2 shkurt 2017, dhe përcakton dëmshpërblimin, por jo rikthimin e tij në detyrë.

Kundër këtij vendimi lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 30 ditëve. Ndërsa marrja e dëmshpërblimit hyn në fuqi 6 muaj nga ekzekutimi i vendimit.

Ish-zyrtari i lartë i policisë Artan Cuku, i cili u vra këtë të shtunë, ishte shkarkuar nga detyra në qershor të vitit 2014.

Në atë kohë ai mbante postin “Specialist në Sektorin e Studimeve Strategjike”, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Por ky sektor u shkri, gjë që solli dhe largimin e tij nga puna, për të mos u emëruar në një funksion tjetër.

Cuku do të ngrinte padi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, e cila i dha të drejtën e rikthimit në punë.

Por çështja do të apelohej nga ana e Avokaturës së Shtetit, që në këtë rast përfaqësonte interesat e Policisë së shtetit si palë e paditur, dhe Apeli Administrativ ka vendosur ta dëmshpërblejë atë me 12 paga, por jo rikthimin në punë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: