TIRANE- Në takimin e Komisionit të Përbashkët për transportin rrugor të udhëtarëve dhe mallrave midis Greqisë dhe Shqipërisë mbajtur në datat 28-29 janar në Tiranë, është rënë dakord për zgjidhjen e disa shqetësimeve të ngritura nga pasagjerët dhe transportuesit e të dyja vendeve.

Konkretisht, sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës bëhet e ditur se “transportuesit e të dyja palëve detyrohen që të informojnë paraprakisht autoritetet kompetente për përfundimin e bashkëpunimit në linjat e caktuara, brenda një periudhe 3-mujore.

Gjatë kësaj periudhe, partneri i cili dëshiron të ndërpresë kontratën do të jete i detyruar, ose të vazhdoje operimin e linjës me autobus për këtë periudhë me qëllim sigurimin e vazhdimësisë së shërbimit për qytetarët ose, ti sigurojë partnerit të mbetur që kërkon të vazhdojë operimin e linjës i vetëm, vendin e nisjes se autobusëve dhe shërbimin e agjencisë”.

Të dyja palët marrin përsipër të aplikojnë sanksione dhe gjoba për moszbatimin e kësaj dispozite nga transportuesit përkatës.

Gjithashtu, palët ranë dakord që të shtyjnë automatikisht të gjitha autorizimet aktuale të transportit të udhëtarëve për një periudhe tranzitore 4-mujore, deri në 31 maj 2016, brenda së cilës të gjithë shoqëritë e interesuara do të pajisen me autorizimet e reja pasi të paraqesin dokumentacionet përkatës për marrjen e autorizimeve të reja, në Ministritë përkatëse. Me qëllim vazhdimin e kryerjes së shërbimit në linjat e rregullta, pala shqiptare ka njoftuar të gjithë autoritetet shqiptare te kontrollit për lejimin e kryerjes së shërbimit nga operatorët, te cilët aktualisht janë të pajisur me Autorizim.

Gjatë këtij takimi palët ranë dakord që afati i vlefshmërisë së autorizimeve në transportin e pasagjerëve për të dyja palët do të jetë 3 vjeçar, me qëllim stabilizimin e mëtejshëm të linjave të transportit të pasagjerëve mes dy vendeve dhe operatorëve përkatës. Palët ranë dakord në parim për nevojën e riformatimit të linjave të miratuara për transportin e pasagjerëve, me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve, bazuar mbi disa parime bazë si: përcaktimi i 8 linjave kryesore, mospërcaktimi si stacion i ndërmjetëm i qyteteve të origjinës si dhe shfuqizimi i linjave të detyrueshme ndërkufitare.Në takimin e mbajtur në Tiranë, palët e komisioneve gjetën dakordësi për nevojën e studimeve më të thelluara për sa më sipër, ndërsa u angazhuan ti kryejnë këto studime brenda dy muajsh dhe të mblidhen përsëri për të vendosur.

Në takim u kërkua mbështetja e Ministrisë se Infrastrukturës dhe Rrjeteve të Greqise për përfshirjen e rrjetit hekurudhor shqiptar në Projektin TEN-T, zgjatja e të cilit përfshin Rrjetin hekurudhor shqiptar si lidhje Pogradec- Kapshticë (Kristallopigi), dhe zgjatimin si lidhje me hekurudhën e Greqisë. Pala greke u angazhua për mbështetjen dhe miratimin në një kohë të shpejtë të këtij projekti.

Pala shqiptare kërkoi që të përdoren si të vlefshme biletat e të dyja vendeve. Vendimi do të merret në mbledhjen e ardhshme, pas miratimit nga ministritë respektive të financave.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: