*Hahn në Kosovë: Hahn: Ruani stabilitetin, thelloni reformat!

PRISHTINE- Komisioneri i BE-së për Politikat Fqinjësore Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, nis vizitën e parë në Kosovë. Ai u prit nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e më pas nga Kryeparlamentari Kadri Veseli. Në vazhdim, Komisioneri BE-së Hahn u prit në një takim nga Kryeministri Isa Mustafa, ku sëbashku mbajtën një konferencë të përbashkët për media.

TAKIMI ME MUSTAFEN
Johannes Hahn, theksoi sot në Prishtinë, se “Evropa është fuqimisht e interesuar të ketë Kosovën anëtare të BE-së”.
Gjatë takimit me Kryeministrin Isa Mustafa dhe kabinetin qeveritar, komisioneri i BE-së Hahn siguroi se Bashkimi Europian është i gatshëm të bëjë çdo gjë për të përmirësuar situatën për perspektivën ekonomike dhe europiane për vendin.
“Evropa është fuqimisht e interesuar të ketë Kosovën anëtare të BE-së dhe duhet të punojmë për këtë, por nëse jemi të përkushtuar dhe qëndrojmë së bashku çdo gjë është e arritshme”, tha Hahn.

Komisioneri Hahn u shpreh se “dialogu me Serbinë është vital për Kosovën, për të ardhmen evropiane të Kosovës. Marrëveshjet ekzistuese duhet të implemtohen plotësisht. Progresi i Kosovës do të përcaktohet nga progresi në dialog dhe kompromistet që do të bëhen në këtë dialog”.
Duke folur për zhvillimin ekonomik të Kosovës, Hahn tha se “zhvillimi ekonomik nuk është vetëm për para, por janë edhe reformat e rëndësishnme, ndër kryesoret është që Kosova duhet të shikohet si një vend ku mund të bëhët biznes dhe mund të investohet që të tërheqim investitorët”.
“Kjo do të thotë se Kosova duhet t’i mbrojë interesat e biznesit dhe të ketë një gjyqësor të paanshëm, të aplikojë ligjin në mënyrë të barabartë . Po ashtu Kosova duhet të jetë një vend ku investimet të jenë të qëndrueshme dhe për të arritur këtë, ekonomia e Kosovës duhet të ketë një reformë ekonomike për të rritur konkurrueshmërinë”, theksoi Hahn.
Javët e ardhshme, vjoi ai, do të rishikojmë dhe diskutojmë reformat e propozuara nga ju dhe më pas do të ofrojmë rekomandime specifike.
“Reformat ekonomike dhe sektoriale të Kosovës do të vazhdojnë të përfitojnë nga ndihma jonë teknike dhe financiare, si dhe do të punojmë që të rrisim eficencën”, u shpreh Hahn.
Në lidhje me bashkëpunimin e EULEX-it, komisioneri Hahn tha se “EULEX do të vazhdojë të jetë i rëndësishëm për sundimin e ligjit për këtë vend. Mandati i EULEX do të përfundojë pas 18 muajve dhe Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë kohë që të përfitojë sa më shumë nga këshillat që EULEX ka për të ofruar dhe në të njëtën kohë duhet të përgatitet të marrë përgjegjësitë që ka EULEX, në mënyrë që sistemi gjyëqësor të jetë i qëndrueshëm dhe sundimi i ligjit të jetë efektiv”.
Komisioneri Hahn theksoi se “për çështjen e liberalizmit të vizave ka progres, por duhet të bëhet më shumë. Kosova ka bërë një progres të madh në raportin e parë dhe të dytë për liberalizimin e vizave dhe unë ju inkurajoj të vazhdoni kështu, gjithsesi këto rekomandime nuk janë kërkesa e vetme, që duhet të përmbushen”.
“Janë një numër i madh i njerëzve që ndodhen në zonat Shengen. Duhet të forconi kufijtë dhe duhet të siguroni njerëzit që nuk do t’u garantohet asgjë jashtë vendit. Bazuar në informatat që i kam marrë nga disa ministra të Punëve të Brendshme të BE-së numri i personave që kanë kërkuar azil ka rënë. Shpresojmë të gjithë që kjo është diçka e qëndrueshme. Nuk duhet të jemi cinikë e të themi që të gjithë janë larguar nga vendi , por është krejt e kundërta”. Ne, shtoi Hahn, duhet të punojmë që të gjejmë cilat janë potencialet dhe mundësitë e Kosovës në të ardhmen, posaçërisht në fushat e zhvillimit ekonomik, në mënyrë që të çojmë ekonominë përpara.
“Është një përkushtim i përbashkët i Kosovës dhe BE-së që të punojnë së bashku në mënyrë që t’i ofrojmë rinisë kosovare, atyre që janë të profilizuar dhe t’u themi se ka mundësi në Kosovë, por duhet të punojmë shumë në këtë fushë”, përfundoi Hahn.

TAKIMI ME JAHJAGEN
Presidentja-e-Republikës-së-Kosovës-Atifete-Jahjaga-priti-në-takim-komisionerin-e-BE-së-për-politikat-e-fqinjësisë-dhe-negocim-të-zgjerimit-Johannes-Hahn-2-350x169Komisioneri i BE-së për politikat e fqinjësisë dhe negocim të zgjerimit, Johannes Hahn, në takim sot në Prishtinë me Presidenten Atifete Jahjaga, theksoi se është me rëndësi për Kosovën ruajtja e stabilitetit dhe angazhimi në thellimin e reformave të brendshme që do të mundësojnë edhe zhvillim ekonomik.

Ai tha se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nuk ka asnjë lidhje me migrimin ilegal dhe theksoi se procesi i vlerësimeve të përmbushjes së kritereve për liberalizim do të vazhdojë.

Hahn tha se rifillimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është me rëndësi të veçantë, sepse kjo do të ndihmojë edhe më shumë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre.Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti në takim komisionerin e BE-së për politikat e fqinjësisë dhe negocim të zgjerimit.

Në takim u diskutua gjithashtu edhe për perspektivën evropiane të Kosovës, përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave dhe të MSA-së për Kosovën, migrimin ilegal të qytetarëve të vendit, si dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Republikën e Serbisë, përmes dialogut që po zhvillohet në Bruksel.

Presidentja Jahjaga theksoi se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për përmbushjen e reformave në axhendën evropiane dhe të përshpejtimit të procesit të integrimit, por tha se Kosova ka nevojë për një përkrahje më të madhe nga BE-ja, posaçërisht në përmbylljen e procesit të MSA-së dhe të liberalizimit të vizave për qytetarët e vendit.

Ajo tha se Kosova duhet të trajtohet nga BE-ja në mënyrë të ngjashme sikurse edhe të gjitha shtetet e tjera, në kuadër të perspektivës evropiane për rajonin. Presidentja Jahjaga theksoi se prioritet i punës së institucioneve të vendit është vendosja e sundimit të ligjit dhe rendit, zhvillimi ekonomik dhe ulja e shkallës së papunësisë, që do të ndalojë edhe migrimin ilegal, një fenomen që ka prekur Kosovën në muajt e fundit.

Duke folur për dialogun me Republikën e Serbisë, Presidentja Jahjaga theksoi se është me rëndësi rifillimi i tij dhe arritja e marrëveshjes për çështje të drejtësisë, bazuar në ligjet e Republikës së Kosovës, por tha se dialogu duhet të jetë transparent për qytetarët dhe se të gjitha marrëveshjet e arritura duhet të përmbushen plotësisht.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: