Komisioneri grek i Bashkimit Eevropian për emigracionin, Dhimitris Avramopulos, iu bëri thirrje liderëve të BE të rishikojnë vendimin për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Gjatë Samitit të Lartë të ministrave të Brendshëm të BE, i zhvilluar mbrëmjen e kaluar në Shkup, Avramopulos iu dërgoi një mesazh të qartë kolegëve të BE-së, duke theksuar se rajoni i Ballkanit Perëndimor është pjesë e pandarë historike, politike dhe kulturore e Europës, rrjedhimisht e ardhmja e vetme reale e logjike është ajo europiane.

“Duke qenë në favor të gjithë kontinentit që kjo zonë delikate të transformohet në të ardhmen e afërt shembull bashkëpunimi, paqeje, stabiliteti dhe zhvillimi, duhet të mbetet prioritet politik e strategjik për liderët europianë. Parashikoj një rishikim të vendimit për çeljen e negociatave të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore”, ka deklaruar Avramopulos, duke shtuar se “mbi të gjitha uroj e shpresoj që gjithë rajoni të anëtarësohet së shpejti në BE”.

Axhenda e samitit përfshinte bashkëpunimin BE-Ballkan Perëndimor në sferën e emigracionit, çështjeve kufitare, luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm si dhe një plan të përbashkët pune kundër terrorizmit. Gjithashtu, janë trajtuar çështje të krimit të organizuar, si trafikimi i lëndëve narkotike, armëve dhe emigrantëve të paligjshëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb