TIRANË- Komisioneri Publik ka ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, vendimi nr. 32, të datës 5 korrik të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit Alma Brati, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, si edhe kandidate për anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në rastin konkret, hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk është i plotë. Për rrjedhojë, faktet dhe provat e administruara në përfundim të këtij hetimi administrativ janë të pamjaftueshme për të mbështetur vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, referuar pikës 1, të nenit 59, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Bazuar në përmbajtjen e pikës 3, të nenit F, të aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Komisioneri Publik nëpërmjet këtij ankimi kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që këto mangësi të hetimit administrativ të kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të mund të riparohen nga Kolegji gjatë shqyrtimit të çështjes në seancë gjyqësore.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni.

Komisionerët Publikë kanë ushtruar ankim për gjashtë vendime të KPK-së. Pesë prej tyre ex officio dhe për një ankim, në rastin e subjektit të rivlerësimit, z. Bashkim Dedja, Komisionerët Publikë kanë pasur edhe rekomandim nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM).

SUBJEKTET PËR TË CILËT ONM KA REKOMANDUAR ANKIMIMIN E VENDIMIT TË KPK
Janë pesë subjekte për të cilët ONM ka rekomanduar ankimim të vendimit pasi janë konfirmuar në detyrë por vetëm për një prej tyre KPK ka zbardhur vendimin.
Bashkim Dedja, gjyqtar
Xhezair Zaganjori, gjyqtar,
Gentjan Medja, gjyqtar,
Gentian Osmani, prokuror
Artur Malaj, gjyqtar

Përveç Bashkim Dedjas, katër janë vendime ende të pazbardhura nga KPK. KPK ka afat ligjor 30 ditë për t’i sjellë Komisionerit Publik vendimet. Në momentin që KPK sjell vendimet e zbardhura, Komisioneri ka afat 15 ditë për të vendosur, nëse do të bëhet ankim, apo jo.

Burime nga institucioni i Komisionerit Publik sqaruan për “BalkanWeb” se në rastet kur nuk bëhet ankim edhe kur ka rekomandim, referuar ligjit komisioneri jep me shkrim arsyet e refuzimit të rekomandimit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb