TIRANË- Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për gjyqtarin Artur Malaj, i cili mban postin e gjyqtarit pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.

Pas shqyrtimi dhe vlerësimit të Komisionëerit publik, në rastin konkret, nuk krijohet bindja se subjekti i rivlerësimit ka deklaruar saktësisht dhe plotësisht pronat në përdorim apo posedim të tij dhe personave të tjerë të lidhur me të.

Gjithashtu pas shqyrtimeve të bëra është vërejtur se nuk ka arritur të bëjë argumentimin e burimeve të ligjshme të pasurive  dhe të ardhurave përkatëse.

“Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 62, datë 3.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Artur Malaj, gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë. Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në rastin konkret, nuk krijohet bindja se subjekti i rivlerësimit ka deklaruar saktësisht dhe plotësisht pronat në përdorim apo posedim të tij dhe të personave të tjerë të lidhur me të, si dhe nuk ka arritur të argumentojë burimin e ligjshëm të pasurive dhe të të ardhurave të krijimit të tyre nga personat e tjerë të lidhur, me qëllim arritjen e një niveli të besueshëm të vlerësimit të pasurisë, sipas nenit 59/1, të ligjit nr. 84/2016.

Komisioneri Publik, në zbatim të kompetencave të njohura nga aneksi i Kushtetutës, bazuar në nenin D dhe F, neneve 30-34 dhe pikës 3, të nenit 61, të ligjit nr. 84/2016 dhe në konsideratë të rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, që në përfundim të gjykimit të çështjes në seancë publike të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 62, datë 3.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të shkarkojë nga detyra subjektin e rivlerësimit, z. Artur Malaj.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: www.ikp.al . Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.”, thuhet në qëndrimin e Komisionerit Publik.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb